S’u lejuan të uleshin pa certifikatën COVID, 2 klientët “kthejnë përmbys” restorantin (VIDEO)

Masat anti-covid herë pas here kanë shkaktuar tensione mes qytetarëve, efektivëve të policisë dhe pronarëve të subjekteve private.

Së fundmi dy çifte kanë shkaktuar panik në një restorant të njohur në Selanik dhe kanë kërcënuar punonjësit duke i thënë “Është dita juaj e fundit.”

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës, 17 prill dhe shkak u bë certifikata e vaksinimit.

Ishte ora rreth 09:30 e mëngjesit kur të dyja çiftet shkuan në një restorant që shquhet për petulla në rrugën Olympou. Sherri filloi kur punonjësit e dyqanit kërkuan të kontrollonin certifikatat e tyre të vaksinimit. Dy nga katër personat nuk kishin një certifikatë vaksinimi dhe më pas u informuan se nuk  mund të uleshin.

Më pas dy personat kanë reaguar duke  i fyer punonjësit. Pak minuta më vonë filluan të kthenin tavolinat përmbys brenda dhe jashtë restorantit.  Në fakt, ata kërcënuan punonjësit që kërkonin të kontrollonin certifikatat, duke u thënë se “është dita e tyre e fundit ”.

“Do të shkoj sot për të bërë padi dhe materialin nga kamerat do t’ua japim autoriteteve . Le ta dinë se nuk kemi frikë nga diçka dhe do të lëvizim ligjërisht” , shprehet për makthes.gr , pronari i lokalit, Dimitris Tsarouchas.

“Nuk i lamë të ulen pa certifikata dhe filluan të na kërcënojnë.”

“Na pyetën nëse kishim mbrojtje në dyqan dhe na thanë të kishim frikë kur të ecim në rrugë se do të na gjejnë”, thotë ai për kërcënimet e marra.

Siç shihet edhe në video, punonjësit kanë reaguar me qetësi duke u përpjekur të largojnë klientët, shkruan protothema.