Turiqefci sfidon Prishtinën
Fshati Turiqefc i Drenicës ka rënë nën hijen e shkollës fi llore “Abedin Rexha”. Pamja e këtij fshati nuk mbizotërohet më si dikur nga gjelbërimi dhe arat e punuara nga banorët, të cilat ndonëse punohen ende dhe shumica kanë kryer edhe të korrat, por nga infrastruktura moderne me ngjyrë gri, e cila ka mbërritur përmes objektit të ri, ngjitur pranë të vjetrit ngjyrë rozë, duke mbledhur tërë shikimin në një pikë dhe duke përqendruar “civilizimin” e fshatit aty.

Ky fshat i shkatërruar gjatë luftës, tani me shtëpi të reja të ndërtuara nga banorët, nëpër lagje nuk ka rrugët e ndërtuara dhe aq mirë... Megjithëkëtë, qeveria ka paraparë të ndërtojë një shkollë, edhe pse një e tillë ishte ndërtuar në vitin 1975, me 1024 metër katrorë, e rinovuar para tri vitesh në vlerë prej 300 mijë euro dhe e përshtatshme për mësim. Plani tani është që objekti i ri të ketë në përbërje të tij standarde bashkëkohore me salla dhe kabinete të tjera përcjellëse.

***

Banorët nuk janë të informuar se çfarë shkolle do të vendoset në objektin e ri, e mesme apo fillore. Nuk e dinë nëse objekti i mëparshëm i shkollës do të rrëzohet. Ata vetëm shohin se fshati i tyre ka objektin shkollor që për nga madhësia ia kalon dhe gjimnazit të Skenderajt dhe fshatrave tjera jo vetëm të kësaj komune, por gjithë vendit.

Ndërmjet objektit të ri dhe atij të vjetrit, qëndron busti i Abedin Rexhës, emrin e të cilit mban shkolla, ndërsa hapësirë tjetër nuk ekziston. Objektet qëndrojnë ngjitur, kurse dallimi ndërmjet tyre është shumë i pakët. Objekti i “vjetër” nuk ngelet mbrapa atij të riut. Edhe ngjyra rozë e objektit ku tani mësojnë nxënësit, i bën konkurrencë ngjyrës gri të objektit të mëparshëm, dallohet nga larg se është e freskët.

E vjetra më e mirë se reja

Por, pavarësisht kësaj, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka vendosur të ndërtohet një objekt i ri. “Në bazë të projektit që ka e dyta është e paraparë të rrëzohet kjo e vjetra, e ndërtuar në vitin 1975, që të flas në realitet del më mirë dhe më e fortë se kjo e reja”, ka thënë ky burim brenda shkollës së Turiqefcit, duke theksuar se disa nxënës vijnë në këtë shkollë të vazhdojnë mësimin pasi kryejnë pesë klasë, të tjera në paralele të ndara në Brojë dhe Kopiliq.

Ndërsa shkolla frekuentohet nga fëmijët e pesë fshatrave tjera Brojë, Vojnik, Turiqefc, Kopiliq i Ulët dhe Kopiliq i Lartë. “Për një ndërrim s’ka vend në shkollën ku mësojmë, por për dy ka”, ka theksuar ky banor i fshatit duke dashur të mbetet anonim. Sipas tij, për t’u kompletuar shkolla e re duhet të rrëzohet e vjetra pasi duhet të ndërtohen sallat përcjellëse për lëndët e caktuara, si salla etj, dhe kjo duhet të bëhet në vend të shkollës së vjetër. Shkolla ka 49 arsimtarë, ndërsa në total 64 punëtorë.

Banorë të tjerë të fshatit preferojnë të mos deklarohen haptazi për media. Ata nuk ankohen për kushtet e shkollës së parë, e cila pas ndërtimit të objektit të ri ka nisur të quhet shkolla e vjetër. Por, thonë se tani shumë lehtë dikush nga të ardhurit qofshin mysafirë apo vizitorë rasti mund të orientohen përmes shkollës, e cila vërehet që nga fshati tjetër me përfundimin e të cilit nis Turiqefci.

Kjo është ajo çka ka ndryshuar në fshat. Dy objektet shkollore, janë shndërruar në një kompleks që nga larg nuk vërehet nëse është kompleks banesor, qendër spitalore, akademi ushtarake...dhe shumë pak për nga hapësira mund të llogaritet nga pamja prej largësie se mund të jenë dy shkolla ngjitur afër njëra tjetrës. Përkundrazi, këto dy objekte jo pak me të tallur thuhet se mund ta zënë tërë Turqevcin apo Drenicën, nga hapësira që kanë. Të rezervuar sikurse banorët për shkollën shprehen edhe zyrtarët e arsimit në këtë komunë.

Në fshatin e Thaçit nuk ka shkollë 8-vjeçare

Drejtori i shkollës, Elmi Thaçi, thotë se ndërtimi i objektit të ri po bëhet për shkak të rritjes së hapësirës, si rezultat i rritjes së numrit të nxënësve që frekuentojnë këtë shkollë për të mbaruar filloren. Ai nuk ka pranuar të japë më shumë detaje rreth shkollës.

“Janë disa rrethana ashtu për çka nuk mund të flas”, ka thënë Thaçi, i cili është banor i lagjes së kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, prej nga në Turiqefc, vijnë të mësojnë fëmijët, edhe pse Broja nuk llogaritet të jetë shumë larg shkollës së Turiqefcit, por në fshatin e kryeministrit nuk ka një shkollë fillore me të gjitha klasat.

Megjithëse ka pranuar të deklarohet për gazetë edhe drejtori komunal për arsim në Komunën e Skenderajt, Jashar Lushtaku, ka folur shkurt me arsyetimin se është në udhëtim. Ai ka thënë se shkolla e “vjetër” nuk ka plotësuar kapacitetet për të mbajtur mësim. Megjithëse para 2-3 viteve ai ka pranuar se është bërë një renovim i objektit dhe është riparuar kjo shkollë, sipas tij, numri i nxënësve po rritet dhe kërkesat janë më të mëdha sesa numri i vendeve si dhe ka mungesë të kabineteve. Kjo shkollë, ai ka bërë të ditur se, është duke u ndërtuar me vendim të Ministrisë së Arsimit. Ai ka mohuar se kjo shkollë mund të rrënohet, pasi, sipas tij, në një të ardhme të afërt pretendohet të themelohet dhe një gjimnaz. Sipas tij, dy objektet mund të shfrytëzohen.

Edhe Prishtina ia ka zili

E në anën tjetër, në Kosovë, fëmijët përfshirë dhe ata në ciklin e ulët të fillores udhëtojnë me kilometra për të shkuar në shkollë, e cila ndodhet larg nga vendi ku banojnë. Ky udhëtim në të shumtën e rasteve bëhet nga fëmijët, të cilët kanë vendbanim në zonat malore. Nxënës që bien viktima të kafshëve të egra, daljes së lumenjve nga shtrati gjatë motit të ligë, janë pasqyra e mosndërtimit të shkollave sipas kërkesave të vendbanimeve dhe numrit të nxënësit.

Politikat ndërtuese në arsim janë duke u bërë jo sipas kërkesave. Një kritikë ndaj tyre nuk ka dhënë ndonjëherë as opozita. Përfaqësues të opozitës kanë dalë me deklaratat e tyre vetëm në ato raste kur janë mbajtur provime të maturës, në universitet, për mosrespektim të ndonjë akti ligjor, por asnjëherë aty ku drejtpërsëdrejti është cenuar siguria dhe jeta e fëmijëve, si pasojë e ndërtimit të shkollave pa plane. Ndërkohë, edhe kryeqyteti i Kosovës sfidohet nga shkolla e Turiqefcit.

Në Prishtinë prej më shumë se 30 vitesh nuk është ndërtuar asnjë shkollë e mesme, edhe pse numri i nxënësve është rritur dhe në gjimnazin e kryeqytetit “Sami Frashëri”, tani në një klasë janë deri në 50 nxënës, ku jo në pak raste shënohen kacafytje ndërmjet nxënësve për një ulëse apo kur nxënësit duhet të përdorin gazetat për t’u ulur në tokë, e mësimi të mbahet me dritare hapur, në të kundërtën dikujt rrezikohet t’i merret frymëmarrja. Këto fakte janë bërë të ditura, kanë qenë të njoftuara jo vetëm drejtoritë komunale, por edhe MASHT-i, nëse jo direkt, këto kanë dalë në media, megjithëkëtë për shkollë të mesme në Prishtinë nuk u ndanë mjetet të ndërtohet. /Zëri/
Shtuar më 02/10/2011, ora 13:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori