Lufta në Ukrainë, gjenerali rus shkarkohet pasi akuzoi Ministrin e Mbrojtjes për tradhti

Të paktën një person u vra dhe katër të tjerë u plagosën në një sulm ajror rus në Kiev për të tretën natë me radhë, thanë autoritetet ushtarake dhe civile në orët e para të mëngjesit sot. Shpërthimet u dëgjuan në rrethe të ndryshme.

“Në lagjen Podilski, teksa po shuhej zjarri në një pallat, u gjet një trup i pajetë”, tha kryetari i bashkisë së kryeqytetit ukrainas, Vitaly Klitschko nëpërmjet Telegram.

Në Darnytskyi, dy persona u plagosën për shkak të “rrënimit të mbeturinave”, njoftoi gjithashtu përmes Telegramit Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake të Kievit.

Ndërkohë, Rusia ka shkarkuar gjeneralin e lartë rus, Ivan Popov, pas ankimeve të këtij të fundit se Ministria ruse e Mbrojtjes ka tradhtuar ushtarët sepse nuk iu ka siguruar mbrojtje të mjaftueshme. Pas shkarkimit Popov tha se ai tregoi të vërtetën, ndërsa tha se Rusisë nuk i pëlqeu, shkruan CNN.

Gjenerali Ivan Popov ishte komandanti i Ushtrisë së 58-të të Armëve të Kombinuara, e cila është përfshirë në luftime të rënda në rajonin e Zaporizhzhia. Ai është një nga oficerët më të lartë që ka marrë pjesë në fushatën e përgjakshme ruse në Ukrainë.

“Unë ngrita edhe një sërë çështjesh të tjera dhe shpreha gjithçka në nivelin më të lartë sinqerisht dhe jashtëzakonisht ashpër. Nuk kisha të drejtë të gënjej, ndaj përvijova të gjitha çështjet problematike që ekzistojnë sot në ushtri, por atyre nuk u pëlqen e vërteta”, tha ai në mesazhin audio.