Arrestohet personi që kërcënoi kryeprokurorin e Maqedonisë

Është arrestuar një person për të cilin policia pretendon se është kërcënuesi i cili para dhjetë ditësh i ka shkruar prokurorit publik të Republikës, Ljubomir Joveski.

Letra kërcënonte se Joveski do të vritej shumë shpejt. Sipas informacioneve, arrestimi është bërë në Manastir.

Prokurori publik Ljubomir Joveski më 27 janar përmes një komunikate me shkrim ka njoftuar opinionin se një ditë më parë, përmes një dërgesë të regjistruar të dërguar nga Posta e Manastirit më 17 janar 2022 në ora 10:26, ka marrë kërcënim për jetën.

“Letra e rekomanduar me kërcënim është e shkruar në maqedonisht dhe anglisht. Kërcënimi i referohet një rasti konkret penal në të cilin procedura ka përfunduar në dhjetor të vitit 2021, me miratimin e aktvendimit për rastin me të cilin është ndërprerë procedura për shkak se është konstatuar se nuk ka vend për ndjekje publike”, ka shkruar prokurori./INA