Gozhda e fundit në arkivolin e arsimit shqiptar: Qeveria planifikon TVSH 20% për shkollat dhe universitetet jopublike

Një në tre studentë vendos të shkollohet jashtë vendit, një në arsimin publik dhe një në sektorin privat. Por këto raporte do të përkeqëson nëse qeveria vendos të rikthejë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në shkollat private të vendit tonë, siç ka lajmëruar Ministria e Financave kohët e fundit.

Tarifat e studimit do të rriten ndaj familjeve të 82 mijë nxënësve që janë të regjistruar aktualisht në arsimin jopublik dhe kjo do të nxisë më tej hemorragjinë e largimit të të rinjve nga vendi, thotë Ermal Hasimja, i cili administron shkollën jopublike të arsimit parauniversitar “Ernest Koliqi”.

“Imagjinoni arsyetimin e qeverisë që, për të rritur të ardhurat buxhetore, takson arsimin për t’i rishpërndarë te hotelet që operojnë me TVSH të subvencionuar.

Por kur analizojmë dobësitë e funksionimit të vendit, që nga shteti ligjor e deri te prosperiteti ekonomik dhe varfëria e lartë, burimi kryesor i anomalive është sistemi arsimor i dobët që nuk arritën të formësojnë as nga ana morale dhe profesionale qytetarët e saj.

TVSH-ja mbi arsimin për të subvencionuar sektorë të tjerë vetëm sa do të përkeqësojë klimën e jetesës, duke rritur barrën fiskale mbi shtresën e mesme dhe stimulimin e mëtejshëm të emigracionit” thotë, Besnik Aliaj, rektor në Universitetin “Polis”.

“Kushtet e biznesit u përkeqësuan në arsimin privat nga tkurrja e numrit të fëmijëve, rritja e kostove në burimet njerëzore dhe kostot e tjera të operimit, aplikimi i TVSH-së në arsim, një kosto shtesë dhe e ndërmarrë në mënyrë të menjëhershme, do të sillte ulje të të ardhurave për të gjitha institucionet arsimore”, thotë Lorena Bandilli, Administratore i Përgjithshme në Albanian University.

Pavarësisht se numri i nxënësve dhe studentëve në shkolla është duke rënë me shpejtësi në vitet e fundit, për shkak të tkurrjes së lindjeve, numri i studentëve në universitetet private ishte në rritje vitet e fundit.

Megjithëse jo në kushte të barabarta konkurrence, studentët e regjistruar në universitetet private ishin sa 31% e atyre që studiojnë në universitetet shtetërore, nga 21% në vitin 2016. Besnik Aliaj thotë se kjo po ndodh nga besueshmëria në rënie e sistemit publik arsimor.

Në Shqipëri, ky raport është më i lartë se në vendet e tjera dhe kjo shihet nga ekspertët si rrjedhojë e dobësive të sistemit publik. Rikthimi i TVSH-së në shërbimet private arsimore do të rrisë barrën fiskale më tej te shtresa e mesme, e cila është përfituesja kryesore e këtij shërbimi.

 

Burimi: INSTAT

 

Rikthimi i TVSH-së i merr arsimit privat 110 mln euro

Ministria e Financave ka lajmëruar se do të rikthejë TVSH-në në arsim dhe shëndetësi, nisur nga sugjerimet e FMN-së në strategjinë afatmesme fiskale që synohet të zbatohet brenda dekadës. Qeveria ka marrë angazhim për heqjen e përjashtimeve të TVSH-së vit pas viti.

Vitin e kaluar u rikthye TVSH në inputet bujqësore, ndërsa vitin që vjen do të nisë aplikimi i TVSH në arsim dhe shëndetësi.

Sipas një studimi që ka bërë Ministria e Financave në vitin 2018, përjashtimi nga TVSH i shërbimeve arsimore i kushtonte buxhetit të shtetit mbi 11,5 miliardë lekë në vit, ose rreth 110 milionë euro.

Që nga viti 2018, tarifat dhe çmimet e shërbimeve arsimore janë rritur ndjeshëm dhe humbjet këtë vit janë edhe më të larta.

Gjithsesi me llogaritë e qeverisë në vitin 2018, nëse TVSH rikthehet në arsim, sistemi privat do të paguajë edhe të paktën 110 milionë euro më shumë. Por operatorët në sistemin privat e konsiderojnë këtë politikë të gabuar.

Selami Xhepa, President në Universitetin Europian të Tiranës, njëkohësisht njohës i mirë i politikave fiskale në vend, thotë se rikthimi i TVSH-së në arsim është thellësisht e gabuar si qasje, ndaj një sektori që përpiqet të kontribuojë në zgjidhjen e problemeve të kapitalit njerëzor.

Për më tepër, problemet e zhvillimit të burimeve njerëzore vetëm se do të përkeqësohen edhe më shumë në të ardhmen dhe shoqëria do të dalë e humbur. “Me shpresën se do të fitohen 5 lekë më shumë në arkën e shtetit sot, në fakt do të vrasim perspektivën”, shprehet Xhepa.

“Në auditorët tanë vijnë studentë kryesisht nga shtresat e mesme, por me sistemin e bursave, një pjesë e madhe e tyre vijnë nga familje me të ardhura të ulëta. Aftësia për të paguar dhe një taksë shtesë prej 20% është përtej çdo mundësie ekonomike”, thotë Xhepa.

“Aq më tepër kur klasa e mesme është tretur dhe po fiket, edhe si pasojë e politikës së progresivitetit tatimor, por dhe nga nivelet e larta të zhvlerësimit të pagave reale që po ndodh në mënyrë sistematike në dy vitet e fundi”t, shtoi ai.

Efekti, rriten tarifat e shkollimit për 82 mijë nxënës

Arsimi privat në vendin tonë ndiqet nga rreth 82 mijë nxënës dhe studentë, nga të cilat rreth 29 mijë ndoqën arsimin e lartë në vitin shkollor 2022-2023 dhe pjesa tjetër, 53 mijë, ishin nxënës në arsimin privat parauniversitar.

“Një nxënës në arsimin privat parauniversitar paguan në Tiranë rreth 3500 euro në vit”, thotë Ermal Hasimja, kryetar i Shoqatës së Shkollave Jopublike. Me aplikimin e TVSH-së, tarifa mesatare do të rritet edhe me 700 euro në vit, duke e çuar në 4200 euro pagesën vjetore.

E njëjta logjikë do të veprojë edhe për studentët në universitetet private.

TVSH në shërbimet arsimore dhe shëndetësore u hoq në vitin 2014 me ndryshimet në ligjin e TVSH-së. Kjo politikë nxiti zhvillimin e sektorit privat arsimor, si me shtimin e shkollave që ofronin shërbimin, edhe me numrin e nxënësve.

Arsimi privat, nën trysninë e kostove, tarifat u rritën ndjeshëm

Vala e kostove të larta përfshiu edhe sektorin e arsimit privat vitin e kaluar. Rritja e pagave për stafet, kostot më të larta të transportit dhe energjisë u transferuan tërësisht te çmimet.

“Tarifa e shkollimit për djalin 7 vjeç, nga 2700 euro në vit, arriti në 5 milionë lekë vitin e kaluar dhe kjo ishte e papërballueshme për mua” – tha O. Mançe, me profesion programues, i cili po shkollon fëmijët në sistemin privat të arsimit parauniversitar në Tiranë.

Tarifa u bë realisht e papërballueshme për familjen e re, që mori vendimin të ndryshonte shkollën e djalit për shkak të tarifës. Fëmijët kanë edhe shumë shpenzime të tjera, jo vetëm shkollën, teksa Shqipëria nuk ofron stimuj për familjet e reja, thotë z. Mançe.

Sipas një vëzhgimi të “Monitor”, në shkollat jopublike, tarifat e studimit janë rritur vitin e kaluar në varësi të shkollave nga 400 në 1000 euro në vit.

Tarifat e shkollave private në Tiranë në arsimin parauniversitar variojnë nga 2200 viti deri në 27 mijë euro. Z. Mançe, fëmijët e të cilit për rreth 6 vite frekuentojnë arsimin privat, tha se vitin e kaluar kishte një rritje të menjëhershme të fortë të tarifave, të cilat po bëhen të papërballueshme edhe për shtresën e mesme.

Ai pohoi se, nëse tarifat do të rriten më tej për shkak të TVSH-së, do të rishikojë edhe një herë mundësinë e shkollimit të fëmijëve. Rritja e tarifave ishte e përgjithshme për të gjitha nivelet që nga parashkollori deri tek universitetet.

“Aplikimi i TVSH-së mbi familjet që shkollojnë fëmijët në shkolla private do të sjellë largimin e një pjese të konsiderueshme të tyre nga arsimi privat. Për shkak të vështirësive të financimit, një pjesë e shkollave private thjesht do të mbyllen.

Pjesa tjetër do të detyrohet të ulë standardet e cilësisë (ulje pagash, anulim i investimeve të parashikuara, etj.).

Marzhet e fitimit në arsimin privat nuk mundësojnë asnjë marrje përsipër të barrës së TVSH-së nga vetë shkollat. Rrjedhimisht e gjithë barra do të kalojë mbi prindërit gjë që do të shkaktojë pakënaqësi”, – thotë z. Hasimja.

 

 

Euro uli të ardhurat e shkollave private

Shërbimet arsimore në sistemin privat tarifohen në Euro, ndërkohë që shumica e shpenzimeve operacionale janë në monedhën vendase. Në varësi të shkollave, pagat janë në Euro ose në Lek.

Nënçmimi i fortë i Euros çoi në rënien e të ardhurave për të gjithë sektorin. Një Euro kushtoi mesatarisht 119 lekë në vitin 2022 nga 127,6 lekë në vitin 2018, sipas Bankës së Shqipërisë.

Të gjendura para humbjeve sistematike, shumë shkolla nisën të tarifojnë në Lek vitin e kaluar, duke aplikuar njëherazi edhe rritje të çmimeve. Shqipëria ka nivel të lartë euroizimi, që përfshin pagat dhe tarifat në shumë shërbime, të cilat kanë pësuar humbje nga nënçmimi i shpejtë.

Përveç kursit të këmbimit, shkollat private u prekën vitin e kaluar edhe nga rritja e kostove të tjera operacionale. Rritja e çmimeve të naftës pas luftës në Ukrainë shtoi së tepërmi kostot e transportit, kurse kriza e kapitalit njerëzor, që ka prekur edhe sistemin e arsimit privat, çoi në rritje të pagave për stafet.

Në sistemin privat ishin të angazhuar edhe mësues të “dalluar” në moshë pensioni. Procesi i plakjes së popullsisë dhe emigrimi i lartë ka prekur edhe sektorin e arsimit që çdo ditë e më shumë është në vështirësi për punonjës.

 

Aplikimi i TVSH-së godet arsimin shqiptar në tërësi

Z. Hasimja thotë se, aplikimi i TVSH-së do të godasë praktikisht shkollat që investojnë më tepër në cilësi, paga, investime dhe teknologji të reja, rrjedhimisht shkollat më të mira të vendit. Kjo masë godet sidomos atë pjesë të arsimit shqiptar që shërben si pararojë dhe përcakton standardet e cilësisë.

Ekspertët e sektorit mendojnë se aplikimi i TVSH-së godet mijëra mësues e të tjerë që punojnë në arsimin privat. Aplikimi i TVSH-së dhe rrjedhimisht ulja e pagave dhe mbyllja e një pjese të shkollave private do të sjellë drama të pashmangshme sociale e njerëzore për mijëra të punësuar në to.

Të gjithë këta njerëz do të shtojnë listat e të pakënaqurve, që do të presin zgjidhje dhe para nga shteti.

Aplikimi i TVSH-së nuk do të sjellë të ardhurat e pritshme për shtetin Llogaritjet mbi të ardhurat shtesë që supozohet se do të përfitojë shteti nga aplikimi i TVSH-së nuk marrin parasysh faktin se një pjesë e prindërve nuk do të mund të paguajnë dot tarifat që do të rriten prej TVSH-së dhe do t’i largojnë fëmijët drejt shkollave publike.

Të gjithë nxënësit që do të largohen nga shkollat private për t’u ngjeshur në publik do të përbëjnë gjithashtu një barrë financiare shtesë për qeverinë.

Do të shtohet numri i shkollave publike me dy turne dhe klasa të mbingarkuara. Në fund të ditës, bilanci përfitime/humbje nga aplikimi i TVSH-së do të jetë zhgënjyes edhe për vetë financat publike.

 

Burimi: INSTAT
Monitor


Shtuar 16.09.2023 10:32