Trëndafil Ivanovski, konfirmohet si ish-spiun
Pëlqej
Trendafil Ivanovski
Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Trendafil Ivanovski rezultoi se ka qenë bashkëpunëtor i ish-shërbimit sekret të UDB-së. Vendimi doli sot, pasi Gjykata Administrative i ka dhënë përgjigje negative ankesës së gjykatësit Ivanovski, të ngritur kundër Komisionit për Lustrimin, i cili e kishte shpallur kreun e Gjykatës Kushtetuese si ish-bashkëpunëtor të sigurimit shtetëror jugosllav.

Vendimin e Gjykatës Administrative sot e kumtoi edhe kryetari i Komisionit për Lustrimin, Tome Axhiev. Ivanovski është funksionari i parë shtetëror në Maqedoni i shpallur nga Komisioni për Lustrimin si ish-spiun gjatë sistemit të kaluar, edhe ai kishte akuzuar se ka qenë viktimë e regjimit të kaluar dhe atij aktual.

Ai këto ditë u largua nga detyra e kreut të Gjykatës Kushtetuese, pas përfundimit të mandatit, ndërsa gjatë periudhës së tij janë sjellë disa vendime kontradiktore lidhur me heqjen e të drejtës së përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar, rrëzimin e stimulimit të natalitetit vetëm për maqedonasit, mësimin e gjuhës maqedonase për shqiptarët nga klasa e parë dhe ligje të tjera të miratuara nga maxhoranca aktuale.
Shtuar më 12/11/2010, ora 12:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori