Topi: Politika të lërë debatet shterpë
Klasa politike shqiptare duhet t’i lërë mënjanë mllefet politike, retorikën boshe dhe debatet shterpë dhe të mendojë e të përkushtohet për zhvillimin dhe prosperitetin e vendit, si dhe integrimin dinjitoz e sa më të shpejtë të Shqipërisë në familjen evropiane. Kështu u shpreh Presidenti i Republikës, Bamir topi gjatë një takimi me ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fiona Mekiluam.

Ato diskutuan mbi situatën aktuale politike dhe institucionale në Shqipëri. Bashkëbiseduesit ndanë mendimin e përbashkët për domosdoshmërinë dhe nevojën e bashkimit të vullneteve politike në vend për gjetjen rrugëve efikase të komunikimit dhe bashkëpunimit mes forcave politike shqiptare në shërbim të reformave thelbësore të rëndësishme të kuadrit politik, ligjor, ekonomik dhe social, si dhe për plotësimin e kritereve kyçe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Klasa politike shqiptare mbart një përgjegjësi të veçantë për imazhin e vendit përballë partnerëve dhe miqve tanë ndërkombëtarë për mënyrën e administrimit të pushtetit dhe të vullnetit të qytetarëve shqiptarë”, - vuri në dukje Kryetari i Shtetit, ndërsa nënvizoi se “shqiptarët me shumë sakrifica kanë kontribuar për imazhin e tyre si njerëz me kurajë, mbështetës dhe aspirues të vlerave demokratike dhe evropiane, ndaj është në detyrimin e përfaqësuesve të popullit, institucioneve shqiptare që t’u përgjigjen këtyre standardeve.”

Nga ana e saj, Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fiona Mekiluam vlerësoi rolin institucional dhe publik të Presidentit Topi në zhvillimet politike në Shqipëri, përmes mesazheve të qarta dhe koherente për dialog, bashkëpunim dhe angazhim serioz të të gjithë aktorëve politikë e institucionalë për kapërcimin situatës aktuale politike në vend. Gjithashtu Ambasadorja Mekiluam theksoi nevojën për një agjendë kombëtare reformash strategjike të arritur me vullnet të qartë dhe konsensus politik, e cila do të mundësojë integrimin e vendit tonë në gjirin e Bashkimit Evropian. /albeu.com/
Shtuar më 03/10/2011, ora 13:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori