Topi kërkon lejimin e ndërtimit të një xhamie në Tiranë
Presidenti Bamir Topi
Presidenti i Republikës Bamir Topi ka zhvilluar sot një vizitë pranë Komiunutetit Mysliman të Shqipërisë me rastin e ditës së Fiter Bajramit. Pas takimit, kreu i shtetit përveç urimeve, ka kërkuar që të ndërtohet edhe xhamia e madhe në Tiranë, njofton Start.

Prej vitesh, kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, nuk jep lejen për ndërtimin e një xhamie në Tiranë, edhe pse prona është e komunitetit, ndërsa projekti dhe financimi janë gati.

“Unë do të thosha që institucionet, të gjitha pa përjashtim duhet të bëjnë të mundur që feja të predikohet nëpër institucione. Feja është kulturë. Është sa kulturë individuale, por është edhe kulturë institucionale.

Unë nuk do të dëshiroja që vitet që vijnë të na bëjnë të shikojmë besimtarë, të cilët falen trotuareve apo rrugëve, sepse kur shkojmë në Evropë, shkojmë me shumë elemente. Shkojmë sikurse e thashë me besimin individual, me besimin institucional, por edhe me etikën e predikimit të besimit.

Kështu që unë u bëj thirrje të gjithëve pa përjashtim, të kontribuojmë së bashku që edhe Komuniteti Mysliman këtu në Tiranë, në një qytet që rritet e rritet, që merr përmasa të mëdha, të ketë edhe ai xhaminë e tij, institucionin e tij, që të ushtrojë, të predikojë, të falet, ta ketë këtë raport me institucionin brenda institucionit. Kështu që në këtë ditë të madhe, edhe një herë unë ju uroj të gjithëve, ju uroj juve, të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë!”, është shprehur Topi.
Shtuar më 09/09/2010, ora 15:41

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori