Topalli leksion maqedonasve: Shqiptarët çliruan Shkupin para jush!
Jozefina Topalli
Fjalimi i Kryeparlamentares shqiptare Jozefina Topalli në Parlamentin e Maqedonisë ka ndezuar një debat të ri në Maqedoni. Mediat maqedonase kanë shprehur habi ndaj deklaratës së Kryeparlamentares shqiptare Jozefina Topalli e cila në fjalimin e saj të mbajtur në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë mes të tjerash tha se Shkupin të parët e kishin çliruar shqiptarët, kurse Shkupi, Dibra dhe Manastiri ishin bërë qendra të lëvizjes shqiptare, shkruan Portali Albeu.com.

“Ishte pikërisht këtu kur në shkurt 1844, 10. 000 kryengritës nën drejtimin e Dervish Carës, çliruan Shkupin dhe paraqitën kërkesën e parë për autonomi. Që nga ajo kohë Shkupi, Manastiri dhe Dibra u bënë nga qendrat kryesore të lëvizjes shqiptare për çlirim kombëtar.

Lëvizja patriotike shqiptare u zhvillua krahas asaj maqedonase. Kryengritja e popullsisë maqedonase e Ilindenit në 2 gusht 1903 në rrethinat e Manastirit u mbështet edhe nga popullsia shqiptare e cila ishte pjesë aktive edhe në krijimin e Republikës së Krushevos, ku këshilli i drejtuar nga shqiptari Vangjel Dino përbëhej nga përfaqësues të komuniteteve maqedonase, shqiptare dhe vllahe.”, tha Topalli.

Ndërsa historianët maqedonas i quajnë të pavërteta dhe i konsiderojnë provokim thëniet e Z. Topalli, shqiptarët duken të kënaqur nga ky fjalim.

Sipas analistëv shqiptarë, deklarata e Topallit konsiderohet si kundërpërgjigje ndaj enciklopedisë maqedonase e cila shqiptarët i quajti njerëz të egër të cilët kanë zbritur nga malet në këto troje dhe janë ardhacakë. /albeu.com/
Shtuar më 04/04/2012, ora 23:35

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori