Vetëm 50 vjeç, COVID-19 i merr jetën mamisë në Elbasan
Topalli: Kosova, djepi i shqiptarisë
"Kosova është djep i shqiptarisë", tha kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, në festimet e 5 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, sot pasdite në seancëm solemne në sallën e madhe të Kuvendit kosovar, në vendin e në orën e mbajtjes së seancës historike të shpalljes së shtetit të ri evropian në 17 Shkurt 2008.

"Kosova është djep i shqiptarisë, dhe për këtë, në emër të Kuvendit të Shqipërisë, dua të falënderoj Kosovën dhe shqiptarët në Kosovë. Sot, nderojmë çdo shqiptar në Kosovë, çdo familje në Kosovë, që kombin e lirinë e kishin sublime, e kishin më të shtrenjtë se jetën e tyre, më të çmuar se pasurinë e tyre, më të madhe se çdo ëndërr të tyre”, theksoi kryeparlamentarja shqiptare.

"Ndaj, dhe me përulje e mirënjohje sot kujtojmë e nderojmë Presidentin e parë të Kosovës, Ibrahim Rugovën, arkitektin e Kosovës së pavarur", tha kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë.

"Në këtë ditë historike nderojmë Luftën Çlirimtare të Kosovës, luftëtarët e lirisë, martirët e shumtë të saj, e mbi të gjithë legjendën shqiptare të saj, Adem Jasharin", tha Topalli, duke falënderuar e uruar edhe të gjithë shqiptarët kudo.

Kryeparlamentarja Topalli, në mënyrë të veçantë përcolli falenderimet për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian që 14 vite me parë bënë luftën e drejtë për të mbrojtur të drejtën.

"Mirënohje Bill Klintonit, Toni Blerit, ju ishit të parët që u ngritët e na dolët zot. Mirënjohje Xhorxh Bushit, që në 2007-ën nga Tirana, bashkë me kryeministrin Sali Berisha, paralajmëruat njohjen e Pavarësisë së Kosovës që pas një viti u bë realitet", theksoi kryetarja e Kuvendit shqiptar.

Ajo tha se "asnjë komb nuk ka bërë një rrugë kaq të vështirë në një kohë kaq të gjatë sa kombi ynë për të mbërritur tek e mrekullueshmja që e ka emrin liria. Por, edhe asnjë komb tjetër nuk ka bërë një rrugë kaq të gjatë për një kohë kaq të shkurtër pas fitimit të lirisë si Shqipëria dhe Kosova".

Pjesëmarrës në seancën solemne e në festimet e tjera në Kosovë ishin edhe Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, dhe mes përfaqësuesve të spektrit politik nga shteti shqiptar edhe lideri i opozitës, Edi Rama. /albeu.com/
Shtuar më 17/02/2013, ora 18:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori