Toka e premtuar/ Si u bë Shqipëria urë për arabët, arrestohet motra e drejtoreshës së Kufirit
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Toka e premtuar”.

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Janë arrestuar 2 shtetas, S. Y., 41 vjeç ( shtetas palestinez ) dhe S. C., 41 vjeçe dhe shpallen në kërkim 6 shtetas të tjerë.

S.C, 41 vjeç, mësohet se është motra e Drejtoreshës së Kufirit dhe Emigracionit Enkelejda Toska e pezulluar dy ditë më parë nga detyra pas dyshimeve se ajo ka favorizuar trafikun.

Dyshohet se Toska së bashku me të tjerë, nëpërmjet kompanive konsulente, bënin të mundur ardhjen në Shqipëri në mënyrë të organizuar, të personave dhe grupeve të personave, kryesisht me origjinë nga Lindja e Mesme dhe vendet e Afrikës veriore.

Zyrtarët e tjerë të pezulluar janë Altin Hasani, Shefi i sektorit Besnik Zela, Shefi i sektorit, Albana Metko, Shefe e Seksionit, Adelina Lita, Specialiste.

Gjithashtu, sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 1 njësi kompjuterike, 2 aparate celular, disa leje qëndrimi të shtetasve të ndryshëm, fatura bankare, mandate tërheqjeje shumash monetare nga agjencitë e transfertave të parave.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet kompanive konsulente, bënin të mundur ardhjen në Shqipëri në mënyrë të organizuar, të personave dhe grupeve të personave, kryesisht me origjinë nga Lindja e Mesme dhe vendet e Afrikës veriore. Shtetasit e këtyre vendeve, të cilët vinin në Shqipëri, nëpërmjet veprimeve të shtetasve të ndaluar, të cilët u krijonin lehtësira për hapjen e bizneseve të ndryshme në Shqipëri, kryesisht fiktivë dhe pa veprimtari financiare, arrinin të përfitonin leje qëndrimi në vendin tonë. Këta shtetas, pas qëndrimit të përkohshëm në vendin tonë, arrinin të kalonin drejt vendeve të BE-së.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale ‘’Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit’’ dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Shtuar më 05/06/2020, ora 10:14

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori