Tirana model për Shkupin
Pëlqej
Integrimi i Shkupit në BE dhe NATO nuk po ecë me tempin e duhur. Në këtë rrugëtim paraqiten konteste të hapura mes shteteve fqinje të cilat janë të domosdoshme të mbyllen. Tirana po bëhet shembull për Shkupin në rrugën e euro-integrimeve, ajo u bë pjesë ë NATO-s, derisa e fundit ishte kur Brukseli i hoqi vizat për qytetarët shqiptarë.

Analisti politikë duke bërë një komparacion mes rrugëtimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë drejtë strukturave euroatlantike, NATO dhe BE fajësojnë qeverinë BDI-VMRO-DPMNE e cila nuk është e gatshme për asnjë sakrificë.

“Shqipëria para gjashtë viteve ishte shumë pas Maqedonisë, tani ajo është në portën e BE-së. Vitin e ardhshëm Shqipërisë do t’i pranohet kandidatura. Shqipëria shkon me hapa normal drejtë BE-së. Garniturat politike si ajo opozitë dhe pozitë nuk vendos asgjë në baraspeshë për BE-në dhe po shënon rezultate, ja që tani fitoi liberalizimin e vizave edhe atë shumë më shpejtë nga Maqedonia. Vitin e ardhshëm Shqipëria do të bëhet shtete kandidat dhe do të fillojë negociata me BE-në dhe ‘de fakto’ do e arrijë Maqedoninë. Për dallim nga Maqedonia e cila fajëson BE-në ata një gjë të tillë nuk janë duke e treguar pasi që edhe atje mundë të ketë lëshime apo gabime”, ka thënë analisti Albert Musliu.

Sefer Tahiri, madje vlerëson se përfundimisht shqiptarët si popull janë të orientuar drejt civilizimit perëndimor dhe nuk kanë dilema se BE-ja dhe NATO-ja janë alternativa e vetme, por këto dilema janë të pranishme te VMRO-DPMNE-ja dhe një pjesë e anëtarësisë së kësaj partie

“Mendoj se Shqipëria po ec me hapa të sigurt në rrugën e saj euroatlantike për arsye se ka një qeveri të përgjegjshme e cila objektivat e saj i realizon duke mos penguar procesin e anëtarësimit, në krahasim me qeverinë e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së e cila nuk është e gatshme të bëjë asnjë kompromis, asnjë sakrificë sa i përket zgjidhjes së këtij problemi. Po ashtu, Shqipëria po ec para sepse nuk realizon projekte si Shkupi 2014 nuk përgatit enciklopedi në të cilat i fyen të tjerët por mundohet që në mënyrë strategjike të ec në rrugën e saj të integrimit, duke angazhuar kapacitetet institucionale dhe administrative për vijimësinë e këtij procesi në mënyrë normale dhe pa ndonjë dramaticitet siç ndodh këtu tek ne”, ka thënë Sefer Tahiri.

“Përparimi permanent që po shënon Shqipëria në të gjitha sferat, është shembulli më i mirë të cilin duhet ta ndjek Maqedonia. Përparimi në sferën e ekonomisë, investimet në infrastrukturë, zhvillimi i turizmit, i sektorit privat..., janë sfera në të cilat Maqedonia mundet të mësojë shumë nga Shqipëria, kuptohet nëse koniuktura aktuale maqedonase në pushtet lirohet nga megalomania se janë të gjithëdijshëm”, ka thënë nga ana tjetër, Fejzi Hajdari. Sipas Hajdarit, Shqipëria ndoshta akoma ngecë pak mbrapa Maqedonisë në disa procese, mirëpo, kjo më tepër është për shkak të paragjykimeve ndaj saj që shënohen te disa instancat euroatlantike, e që datojnë nga periudha e Enver Hoxhës, se sa bëhet fjalë për ndonjë ngecje reale.

Leksioni për Shkupin

“Një gjë tjetër të cilën mundet ta mësojë Maqedonia nga Shqipëria dhe nga shqiptarët në përgjithësi është qasja ndaj fqinjëve - Shqipëria gjithnjë fqinjëve u qaset me disponim miqësorë madje edhe kur nga ajo kërkohen kompromise të padrejta, për dallim prej disponimit i cili viteve të fundit po shënohet në Maqedoni ku për të gjithë fqinjët, me përjashtim të Serbisë, krijohet atmosferë armiqësore”, ka shtuar Fejzi Hajdari. (kohaere)
Shtuar më 14/11/2010, ora 11:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori