“Të shtyhet fiskalizimi”, PD përkrah shoqatën e biznesit: 70% po falimentojnë

Partia Demokratike ka dalë në mbështetje të kërkesave të shoqatës së bizneseve.

PD është dakord me propozimet e tyre për shtyrje të fiskalizimit dhe mbështetje financiare nga qeveria, në mënyrë që kostot e rritura të mos të çojnë drejt falimentimit.

Përfaqësuesit e PD në Komisionin e Ekonomisë, Sorina Koti, Emilja Koliqi dhe Arbi Agalliu zhvilluan edhe një takim me përfaqësues të Shoqatës së Biznesit të Vogël Albert Nasto dhe Bujar Muço.

Zyra e shtypit të PD-së, njofton se përfaqësuesit e biznesit thanë se, përveç kreditimit, një ndihmë e madhe për biznesin do të ishte shtyrja e fiskalizimit, proces që kushton mesatarisht 1 mijë euro për çdo biznes. “Nuk jemi kundër inovacionit, por është barrë shumë e rëndë dhe proces i ndërlikuar, që i merr kohë biznesit. Ne kërkojmë të shtyhet dhe të shikohet mundësia për një fiskalizim më të thjeshtë dhe me sa më pak kosto” u shprehën përfaqësuesit e biznesit të vogël.

Ata ia kanë drejtuar këtë kërkesë qeverisë për ta parashikuar në buxhet dhe në paketën fiskale 2022, por deri tani nuk kanë asnjë përgjigje. “Me këtë ritëm, 65-70% e bizneseve do të falimentojnë”- tha Kryetari i shoqatës Albert Nasto, i cili shprehu me shqetësim edhe rritjen e kostove për shkak të monopolizimit të tregut, duke nisur me karburantet.

Përfaqësuesit e PD thanë se kërkesat e arsyeshme të biznesit të vogël për të shpëtuar nga falimentimi janë minimale dhe qeveria duhet ta dëgjojë zërin e biznesit të vogël që mban ekonominë e mijëra familjeve shqiptare. Deputetët e PD në Komisionin e Ekonomisë mbështetën idenë e përfaqësuesve të biznesit të vogël për të protestuar kundër përkeqësimit të gjendjes ekonomike./albeu.com/