Begaj për president, reagon deputeti demokrat: E respektoj figurën e tij, problemi është te sjellja autoritare e shumicës

Deputeti i PD-së, Dashnor Sula edhe pse e vlerëson figurën e Bajram Begajt, shprehet se nuk do ta mbështesë në votimin në Kuvend për t’u bërë President.

Këtë Sula e ka argumentuar me një qëndrim të tij, duke theksuar se opozita nuk mund të legjitimojë sjelljen autoritare të mazhorancës.

“Gjenerali do të ketë respektin tim, mbase dhe të gjithë opozitës por ne nuk mund të legjitimojmë sjelljen autoritare të kësaj mazhorance”, shkruan deputeti i PD.

Deputeti Sula thekson se mazhoranca po bën pis kandidatin për President, Bajram Begaj, që sipas tij, është një “njeri i urtë që ka spikatur për profesionalizmin dhe përkushtimin në detyrat që ka mbajtur”.

Sipas deputetit demokrat, “Partia Socialiste nuk respektoi marrëveshjen e arritur në sy të të gjithë shqiptarëve për të pasur një kandidat konsensual”.

Qëndrimi i plotë i Dashnor Sulës:

“Mazhoranca bën pisë kandidatin për president Bajram Begaj. Shqipëria ka pafundësisht individë të ndershëm e të denjë për tu bërë kryetar i shtetit. Kandidat potencial ka nga të djathtët, të majtët apo jashtë politikës, profesionistë të arrirë.

I tillë është edhe Gjeneral Bajram Begaj. Një njeri i urtë që ka spikatur për profesionalizmin dhe përkushtimin në detyrat që ka mbajtur. Mjek, Profesor i Asociuar. Njeri me ambicie që i ka ngjitur shkallët e karrierës me radhë. Gjeneral që ka ditur të ruaj e respektojë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.

Në këtë këndvështrim, vendosja në krye të Presidencës një president me formim ushtarak është me rëndësi. Kryetari i Shtetit është Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe i shkon çdo informacion lidhur me FA. Kujtojmë që po jetojmë në një kohë kur Rusia prej më shumë se tri muajsh sulmon çdo ditë barbarisht për të pushtuar Ukrainën. Ballkani mbetet ende një “fuçi baruti”.

Ndërkohë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO i japin një rëndësi të veçantë Shqipërisë ku po ndërtohet baza ushtarake e NATO-s në Kuçovë. Kjo na imponon të jemi seriozë dhe të besuar me partnerët tanë. Rol në këtë marrëdhënie luan edhe Presidenti si Komandant i Përgjithshëm i FA.

Por kjo mazhorancë e bën pis emrin e Gjeneralit. Partia Socialiste nuk respektoi marrëveshjen e arritur në sy të të gjithë shqiptarëve për të patur një kandidat konsensual. Presidenti sipas Kushtetutës është përfaqësues i unitetit të popullit dhe qëndron mbi palët politike.

Ndaj është domosdoshmëri që kryetari i shtetit të jetë konsensual. Mazhoranca e cila është mësuar ti zaptojë të gjithë pushtetet, refuzoi të kishim një propozim të përbashkët. Gjenerali do të ket respektin tim, mbase dhe të gjithë opozitës por ne nuk mund të legjitimojmë sjelljen autoritare të kësaj mazhorance” shkruan ai./albeu.com/

 


Shtuar 4.06.2022 17:34