Rei Manaj shumë pranë klubit spanjoll

Rei Manaj është aktualisht pa ekip dhe shumë afër rikuperimit nga dëmtimi që pësoi në muajin dhjetor. Pasi u nda përkohësisht me Uotfordin, sulmuesi shqiptar është në kërkim të një ekipi që të mbyllë sezonin, teksa ditët e fundit shumë ekipe kanë dalë në skenë, nga Italia dhe Spanja.

Raportimi i fundit bëhet nga “El Periodico”, ku thuhet se Real Saragoza mendon të nënshkruajë me Rei Manajn deri në qershor.

Klubi aragonez po shqyrton opsionin për të marrë shërbimet e sulmuesit, edhe pse nuk është e lehtë duke qenë se lëndimi është në mes dhe ai do të rikthehet në mars. Saragoza militon në Kategorinë e Dytë spanjolle, në pozita jokomode pasi katër pikë më poshtë ndodhet edhe vendi që rrëzohet nga kategoria.

Në këtë kampionat Manaj mund të gjejë edhe dy shqiptarët e tjerë, Myrto Uzunin, i cili është pjesë e Granadës e golashënuesi më i mirë i kampionatit, dhe Armando Sadikun, pjesë e Kartagjenës. Ndërkohë Manaj mund të bëhet sulmuesi i tretë shqiptar në këtë kampionat.


Shtuar 23.02.2023 20:34