A do të jetë Lituania Ukraina e ardhshme?

Nga Lucy Ash “The New European

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Pak më shumë se një vit më parë, kur presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i kërkoi NATO-s të krijonte një zonë të ndalim-fluturimit mbi Ukrainë, ai paralajmëroi: “Nëse nuk do të jetë më Ukraina, atëherë preja e radhës e Rusisë do të jenë Letonia, Lituania dhe Estonia”.

Në të treja shtetet baltike kishte një ndjenjë të një rreziku akut që në javët e para të luftës. Një diplomat perëndimor në kryeqytetin lituanez, Vilnius, kujton se si stafi vendas i bëri gati valixhet dhe po pyeste për planet e evakuimit të ambasadës. “Supozimi ishte që ne duhej të dilnim shumë shpejt nga vendi”- tha ai.

Lituania është e traumatizuar nga historia e saj e dekadave të fundit për shkak të shtypjes nga Rusia. Pushtimi sovjetik në fund të Luftës së Dytë Botërore la plagë të thella. Dhjetëra mijëra lituanezë u dëbuan me forcë në gulagët në Siberi dhe në veriun e largët. Gati 30.000 të burgosur vdiqën duke gërmuar qymyr, ndërtuar hekurudha apo duke prerë pemë nën motin e acartë në kampet e punës së detyruar.

“Kur nisi pushtimi i Ukrainës, supozimi dominues ishte se Kievi do të binte brenda pak ditësh. Më pas zbuluam se ushtria ruse nuk ishte aq e frikshme sa mendonim. Shoqëria jonë po mësohet deri diku që të jetojë me këtë luftë”- thotë zëvendësministri i Jashtëm, Mantas Adomënas

Lituania sheh kudo rrezik për sigurinë e saj. Në jug-perëndim, enklava ruse e Kaliningradit, baza për flotën balltike të Rusisë, është e mbushur me armatime të rënda, përfshirë raketa hipersonike Iskander dhe bomba bërthamore. Në anën lindore shtrihet Bjellorusia, që tanimë është shndërruat në një bazë ushtarake ruse.

Kufiri i saj është vetëm 30 km larg nga Vilnius. Para pushtimit, hipermarketet e kryeqytetit ishin të mbushura me vizitorë ditorë bjellorusë që bënin pazar. Tani që tregtia është ndërprerë, shumë lituanezë shqetësohen se fqinjët e tyre do të marshojnë përtej kufirit në misione më pak miqësore.

Të treja vendet baltike bashkohen nga toka me NATO-n vetëm nga Hendeku Suwałki – një korridor përgjatë kufirit lituano-polak rreth 100 km i gjatë dhe që shtrihet si një vijë larëse midis Kaliningradit dhe Bjellorusisë. Pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, disa e quajtën atë si pika më e brishtë e aleancës.

Strategët ushtarakë perëndimorë paralajmëruan se kjo zonë mund të bëhet një nga objektivat e para të Kremlinit nëse lufta në Ukrainë do të përshkallëzohet në një konfrontim ballor me Perëndimin. Në rast se Rusia do të pushtonte këtë korridor, ajo mund të shkëpuste me shpejtësi 3 shtetet baltike nga aleatët e tyre të NATO-s, duke shkaktuar ndoshta një konflikt global.

Sot flitet për forcimin e mbrojtjes dhe për pasjen e një qëndrimi të pa kompromis. “Shtetet baltike janë vende të vogla që u mungon thellësia strategjike. Ne nuk mund ta lejojmë armikun të hyjë, pasi çdo centimetër ka rëndësi”- thotë Dalia Bankauskaite, eksperte e sigurisë dhe dezinformimit.

Edhe Adomënas bie dakord se “parandalimi i vjetër me tela”, ku një inkursion rus do të alarmonte NATO-n dhe forca shumë më të mëdha do të dërgoheshin në rajonin e pushtuar për ta rimarrë atë, nuk është më i përshtatshëm. “Pas Bucha dhe Irpin dhe gjithë tmerreve të tjera në Ukrainë, koncepti i heqjes dorë nga territori dhe më pas i përpjekjes për ta rimarrë atë thjesht nuk funksionon”- thotë ai.

Që nga viti 2017, në Estoni, Letoni dhe Lituani ndodhet nga një batalion shumëkombësh i NATO-s me rreth 1000 trupa, ose Prezenca e Përparuar e Përmirësuar. Por në samitin e NATO-s që Lituania do të presë në korrik, Adomënas dhe të tjerët do të kërkojnë 3-4 herë forca më shumë në kufi, që të jenë gati për të luftuar.

Po ashtu do të mirëpresin përfshirjen në aleancë të Finlandës dhe Suedisë dikur neutrale, dhe do të mbështesin anëtarësimin e Ukrainës. Deri në fund të luftës, thotë Adomënas, Ukraina do të ketë ushtrinë më të aftë dhe më të fortë në Evropë. Shqetësimet se zgjerimi i NATO-s dhe një prani më e madhe ushtarake në Baltik mund të rrisin tensionet dhe potencialisht të çlirojnë Harmagedonin janë lënë mënjanë.

Adomënas beson se nëse Vladimir Putin do të përdorte armë bërthamore, do ta kishte bërë tashmë. Ai argumenton se logjika e presidentit rus është e kundërta e llogaritjeve racionale të bëra nga politikanët e zgjedhur në mënyrë demokratike. “Nëse ne përpiqemi të bazojmë sjelljen tonë në reagimin e tij të supozuar, ai thjesht do ta shfrytëzojë atë për të çuar më tej avantazhin e tij”- thotë zëvendësministri lituanez.

Po ashtu ai është kundër çdo lloj kompromisi që propozohet me Moskën, si për shembull mbi Krimenë, për të shmangur izolimin e Putinit në një qoshe. “Për çfarë qosheje po flisni kur Rusia zë tashmë 1/6 planetit? Nëse ai del nga kjo luftë me i fortë sesa hyri, do të ndjejë se është një fitore që i justifikon aventurat e mëtejshme ushtarake”- theksoi Adomënas.

Lituaia është sot një vend i vogël në skajin verilindor të Bashkimit Evropian. Por 600 vjet më parë, Dukati i Madh i Lituanisë ishte një nga shtetet më të mëdha dhe më të fuqishme në Evropë, dhe përfshinte pjesë të Bjellorusisë së sotme, Ukrainën dhe pjesë të Polonisë dhe Rusisë së sotme.

Lituania ishte kombi i fundit pagan në Evropë, dhe për shekuj luftoi kundër kryqtarëve dhe kalorësve teutonikë që ishin të vendosur t’i konvertonin ata në Krishtërim jo përmes kryqit, por me shpatë. Shumica e pranuan Krishterimin vetëm pas krijimit të Komonuelthit Poloni-Lituani në vitin 1569.

Në ditët e lavdisë së Komonuelthit, lulëzuan artet dhe kultura, të fuqizuara nga Rilindja dhe Reforma Protestante. Në mesin e shekullit XVII, Komonuelthi u dobësua në mënyrë fatale nga luftërat me Suedinë dhe u shkatërrua përfundimisht nga Rusia, Prusia dhe Austria Habsburge.

Pas ndarjes së Polonisë, Lituania u pushtua nga perandoria ruse. Përballë revoltave, autoritetet cariste zbatuan një rusifikim shumë brutal, duke ndaluar shtypin lituanez dhe duke mbyllur një sërë institucionesh kulturore dhe arsimore. Lituania dhe dy fqinjët e saj baltikë, Letonia dhe Estonia rifituan për një kohë të shkurtër pavarësinë e tyre midis dy luftërave botërore përpara se të pushtoheshin nga Ushtria e Kuqe dhe të viheshin nën sundimin sovjetik.

Dita e Rivendosjes së Shtetit më 16 shkurt, shënon rivendosjen e lirisë së vendit nga perandoria ruse dhe Gjermania në vitin 1918. Ndërsa më 11 mars, festohet shpallja e pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik pas një sulmi të përgjakshëm ajror që vrau 14 persona pranë kullës televizive në Vilnius.

Sektorët në rritje të IT dhe bioteknologjisë kanë shumë nevojë për specialistë. Tajvani, furnizuesi më i madh në botë i gjysmëpërçuesve, njoftoi kohët e fundit se do të investonte në prodhimin e mikroçipëve në Lituani. Kryeministri pretendon se PBB për frymë e ka kaluar Italinë dhe është pothuajse e barabartë me atë të Japonisë.

Edhe pse popullsia ra nga 3.7 milionë qytetarë në vitin 1990 në 2.8 milionë në vitin 2021, aktualisht, pjesërisht për shkak të Brexit-it, ajo është sërish në rritje. Që nga pushtimi i Ukrainës, 30.000 ukrainas kanë kërkuar strehim në Vilnius dhe tani përbëjnë 5 për qind të popullsisë. Për më tepër, një pjesë e komuniteti lituanez prej 260.000 personash në Mbretërinë e Bashkuar kanë filluar të rikthehen në vendlindje, të joshur nga perspektivat e përmirësuara të punës dhe një kosto më e ulët e jetesës, por edhe nga mjedisi më armiqësor i shkaktuar nga Brexit.

Para pushtimit, shumë politikë-bërës në Bashkimit Evropian ishin lodhur duke dëgjuar shqetësimet e Lituanisë për ndikimin rus në rajon. Ata i injoruan paralajmërimet se projekti i gazsjellësit Nord Stream 2, që dyfishoi kapacitetin e Rusisë për të eksportuar gaz në Gjermani, ishte “një ide e çmendur” që kërcënonte sigurinë energjetike të Evropës.

Tani gjëart kanë ndryshuar. Lituania i ka acaruar marrëdhëniet me Kinën duke i thelluar lidhjet me Tajvanin dhe duke hapur një zyrë tregtare në Taipei në fund të vitit të kaluar. Vitet e fundit, ajo është shfaqur si një nga aleatet më të hapura të Tajvanit në Evropë, pavarësisht nga embargoja tregtare ndaj produkteve të qumështit dhe një rënie të investimeve kineze.

Por Adomënas nuk ka ndonjë keqardhje të madhe. Mbështetja e Tajvanit ka shumë domethënie ekonomike, si pjesë e një strategjie diversifikimi afatgjatë, por është gjithashtu pjesë e një politike të jashtme etike.

Ai kritikon gjendjen e vështirë të qytetarëve të Hong Kongut, ku kandidatët pro-demokracisë triumfuan në vitin 2019, por tani janë ose në mërgim ose në burg. “Ne kemi luftuar për vite kundër dominimit sovjetik, dhe të qenit pro lirisë është në ADN-në tonë. Ne jemi të fokusuar në ndërtimin e imunitetit ndaj regjimeve autoritare”- thotë ai. /albeu.com

Marrë me shkurtime


Shtuar 1.04.2023 14:11