“Thaçi nuk ka të drejtë të nënshkruajë marrëveshje me Serbinë”
Prishtinë, 5 korrik 2017 – Më 3 korrik , në Bruksei, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq, rinisën formalisht Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e serbisë, të pezulluar në muajin mars të këtij viti.

Presidenti i Kosovës mori pjesë në këtë takim krye më vete, pasi ai nuk e ka marrë pëlqimin e institucioneve shtetërore dhe në kohën e një vakuumi institucional.

Shoqëria Civile e konsideron shkuarjen e Thaçit në Bruksel si përpjekje të tij për të qenë në qendër të vëmendjes dhe për të marrë në duar frenat e dialogut duke e shfrytëzuar vakuumin institucional.

“Zoti Thaçi po tenton që vakuumin institucional këtu ta shfrytëzojë për ta bërë fakt të kryer që dialogun e Brukselit ta udhëheqë ai”, ka deklaruar për KTV-në Petrit Zogaj, drejtues i organizatës “Fol”.

Njohësit e Kushtetutës vlerësojnë se Thaçi mund ta udhëheqë dialogun me Serbinë edhe para konstituimit të institucioneve të reja shtetërore, por nuk ka të drejtë kushtetuese të nënshkruajë çfarëdo marrëveshjeje pa pëlqimin paraprak të Kuvendit.

Dialogu mes Kosovës e serbisë, i cili ishte cilësuar si dialog për çështje teknike dhe më pas u pagëzua si dialog për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, mbështetej në dy rezoluta të Kuvendit të Kosovës, e para e miratuar në mars të vitit 2011 dhe e dyta e miratyuar në tetor të vitit 2012. Të dyja këto rtezoluta e obligojnë Qeverinë e Kosovës që të raportojë rregullisht në Kuvend për ecurinë e dialogut.

Në qoftë se dialogun do ta udhëheqë Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, Kuvendi nuk ka instrument për ta detyruar atë që të raportojë para tij.

Kështu, mbetet në vullnetin e Presidentit nëse do të raportojë ose jo para organit më të lartë shtetëror të Kosovës. /albeu.com/
Shtuar më 05/07/2017, ora 20:36

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori