"Terroristë të dashur...!" ByPass Show i përgjigjet ekstremistëve grekë (VIDEO)
Pëlqej
Një organizatë ekstremiste greke e quajtur ‘A.T.A.K’ ka përpiluar një listë vdekje për 64 shqiptarë, mes tyre deputetë, gazetarë dhe njerëz publik. Por një pyetje rëndon gjithnjë në situata të tilla: A duhen marrë seriozisht komunikatat e Atakut?

A kemi të bëjmë me kërcënime reale apo me të çmendur që shtyjnë kohën përpara ekranit të kompjuterit dhe shkruajnë çfare t’iu vijë ndër mendjen e errësuar nga urrejtja e primitivizmit?

Por duket se redaksia e ‘Bypass Show’, emisionit të vënë nën shënjestrën e organizatës terroriste, ka vendosur t’ju përgjigjet me një kundërsulm Atakut.

‘Të dashur terroristë të ATAK. Keni publikuar një deklaratë që ne në shqip i themi trakt, Por ne si Bypass kemi disa paqartësi të cilat ju lutem na i shpjegoni.

Ju thoni se do vrisni 64 vetë, ku të dytin në listë keni vënë Agim Bajkon e emisionit tonë. Qëllimi juaj është të rrëzoni Ramën por Shpëtim Idrizin e kërcënoni sepse po bashkëpunon me PD-në për të rrëzuar Ramën; ndërsa deputetit Dritan Bici i këshillohet se po të bashkëpunojë me ATAK, do ta përjashtoni nga lista.

Së pari, ndajeni mendjen, a e doni apo nuk e doni kryeministrin Rama, sepse një herë thoni se doni ta rrëzoni, pastaj fusni në listë Shpëtim Idrizin që kërkon të rrëzojë Ramën?

Së dyti, ju lutem na sqaroni nëse do ta nisni nga fillimi apo nga fundi ekzekutimin e listës, që ta dimë se kur do të na vijë radha?

Së treti, që ne të shpëtojmë nga Ataku juaj, ju lutemi të na trajtoni si deputetin çam të Elbasanit. Në traktin tuaj keni vënë vetëm detyrat që i ngarkoni deputetit, Dritan Bici, ku thoni se ai mund të bëjë përjashtim nëse bën ato që i thoni ju. Edhe ne mund të bashkëpunojmë me Ju, mjafton që të na bëni të qarta detyrat dhe planet operacionale.

Nga ana tjetër si shpërblim na fusni dhe ne të përfitojmë ca fonde si himara.gr se duket se kriza greke nuk e ka prekur organizatën tuaj. Në traktin tuaj përmenden edhe të dashurat e filoshqiptarëve në Greqi. Ne theksojmë se të dashura nuk kemi në Greqi ende, por ato janë në vende të Bashkimit Evropian, ku rrezja juaj e hetimit ndoshta nuk arrin dot. Po na organizuat njohje aty tek ju, jemi të hapur.

Mbetemi në pritje të udhëzimeve te mëtejshme që Bypass Show t’ju ndihmojë sa më mirë. Këtë përgjigje quajeni thjesht një kundërsulm ndaj Atakut tuaj. Pa nderime, Bypass Show’.
Shtuar më 14/11/2018, ora 17:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori