Tërmeti i shkatërroi shtëpinë, gruaja dhe fëmijët në mëshirë të fatit
Shumë familje në Njësinë numër 4 në Tiranë, të dëmtuar që në tërmetin e 21 shtatorit, ende nuk kanë marrë zgjidhje për këtë situatë.

Valbona Rama, banore në këtë njësi, me shpresën e humbur, thotë se ende nuk e di se çfarë do të bëhet me shtëpinë e saj.

Në bisedën që pati me zëdhënësen e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ajo thotë se pas disa kërkesave në Bashkinë e Tiranës, ekspertët e kanë vlerësuar të pabanueshme shtëpinë e saj, por që deri më tani nuk ka shkuar njeri për t’i thënë se çfarë do bëhet më tej.

Ajo gjithashtu shprehet se në shtëpi po qëndrojnë me frikë duke qene ̈se nuk kanë ku të shkojnë, pasi shteti nuk u ka dhënë as bonus qiraje.

Valbona Rama: Jam ankuar për shtëpi te Bashkia, kanë ardhur nja dy-tre herë ato edhe e kanë parë, kanë thënë që do ta rregullojmë, më thanë që do të japim dhe bonus, nuk më kanë dhënë as ndihma, asgjë s’po bëhet.

Ina Zhupa: Ju kanë ardhur ekspertë?

Valbona Rama: Kanë ardhur, ata të Bashkisë kanë ardhur.

Ina Zhupa: Kur erdhën, çfarë ju thanë? Është e banueshme?

Valbona Rama: Është e pabanueshme tha shtëpia, nuk banohet këtu tha, do t’ju ndihmojmë edhe juve tha dhe asnjë gjë s’po na japin. Të paktën të vijnë ta rregullojnë vetë. Nuk dua as lekë, asnjë gjë se këtu nuk jetohet. Po të kisha unë para, unë e rregulloja vetë, nuk prisja ata të vinin, po unë kam hall se do fillojnë shirat tashi, se erdhi dimri edhe do pikojë gjithë shtëpia edhe ku do rri me gjithë kalamajtë, nuk e di.

Ina Zhupa: Ju jetoni këtu?

Valbona Rama: Këtu, ja te kjo shtëpia e kalbur që është nga tërmeti. Kam një vit. Që në shtator është bërë kjo punë. Dokumentat i kam. I kanë bërë me fotografi e me të gjitha dhe kur vjen puna asnjë gjë s’po bëjnë. Unë dua që nga Bashkia, qeveria të më vijë të më rregullojë shtëpinë. Asnjë gjë tjetër nuk dua, se po jetoj si mos më keq!

Shtuar më 24/09/2020, ora 09:50

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori