Berisha: Largimi i qeverisë e vetmja mundësi për të ndalur shpopullimin

Kreu i PD, Sali Berisha, gjatë një takimi me të rinjtë e forumit, theksoi se ka ardhur momenti të bëhet gjithçka për të ndalur migrimin në vend.

Sipas tij gjatë qeverisjes socialiste numri i shqiptarëve të larguar nga vendi ka shkuar në 934 mijë persona.

Ai theksoi se ka ardhur momenti që kjo qeveri të largohet një orë e më parë për të ndalur shpopullimin, dhe me anë të programeve ekonomike të ndalet shpopullimi dhe largimi i të rinjve nga vendi.

Të dashur anëtarë dhe anëtare të FRPD-së!

Takimi me ju është një takim jashtëzakonisht i rëndësishëm. Është një takim në një moment, kritik për vendin, për demokracinë, për të ardhmen. Tre ditë më parë Eurostati njofton se nga 2014 deri në fund të 2022 numri i shqiptarëve të larguar vetëm në hapësirën e BE-së, ka arritur 934 mijë vetë.

Ka arritur pra në më shumë se 33% të popullatës, por po të shtojmë këtu edhe ata që janë larguar në vendet jo anëtare të BE-së, kjo shifër shkon edhe te 35% së paku. Imagjinoni se në çfarë situate është katandisur sot, ky komb dhe ky vend. Kur lexon këto shifra dhe sheh ju këtu, secili mund të habitet se edhe pse ju nuk keni ikur.

Jetojmë sot në një kohë kur ky vend braktiset dhe vetën braktiset. Braktiset natën, ditën, braktiset me anije, braktiset me rrugë tokësore, braktiset me rrugë ajrore. Ju garantoj se nuk po braktiset vetëm vendi nga popullata, por po braktiset e nesërmja për vendin. Ky vend nëse vazhdon kështu, nuk ka të nesërme, nuk ka të ardhme.

Ky vend sot ka nevojë më shumë kurrë të shpëtohet. Luftërat i largojnë njerëzit, në luftëra vdesin nga fronti, nga sëmundje nga shumë probleme. Vendi që është pakësuar në histori më shumë nga luftëra dhe ishte luftë botërore ka qenë Polonia dhe ajo ka humbur 20%, të popullit të vet, me të vrarë, me largim etj. Shqipëria humbet në një hark kohore 8 vjeçar, 35 % të popullsisë së vendit”, tha Berisha.

/AlbEu.com/


Shtuar 7.02.2023 20:39