Tentoi të vidhte banesën, arrestohet 20 vjeçari në Divjakë
Një shtetas ka rënë në pranga pasi tentoi të vidhte një banesë në Divjakë, nderkohë që është shpallur në kërkim bashkëpuntori i tij, shtetasi i dyshuar B.A, 32 vjeç, banues në Vlorë.

Policia ka arrestuar M.J., 20 vjeç banues në Vlorë pak pasi dikush denoncoi në nr 112 se në banesë kishin hyrë dy të huaj.

Policia ben me dije se te dy autorët e dyshuar janë me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e vjedhjes.


NJOFTIMI

Pas telefonatës së shtetasit S.D në numrin unik 112 se në banesën e tij kishin hyrë dy shtetas të huaj, menjëherë në vendngjarje shkojnë shërbimet e Policisë Divjakë ku bëjnë të mundur kapjen në flagrancë të njërit prej autorëve të dyshuar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Vjedhje e kryer në bashkëpunim” e mbetur në tentativë shtetasin:

M.J, 20 vjeç, banues në Vlorë.

Gjithashtu u shpall në kërkim bashkëpuntori i tij shtetasi i dyshuar B.A, 32 vjeç, banues në Vlorë.

Në lidhje me këtë ngjarje janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një autoveturë, (automjet të cilin autorët e kanë braktisur në një rrugicë në Divjakë gjatë momentit të ikjes nga ndjekja e policisë) dhe dy telefona celularë të cilët dyshohet se janë përdorur për komunikime për kryerjen e aktivitetit kriminal.

Vijon puna për dokumentimin ligjor të disa vjedhjeve të tjera të kryera nga ky grup në juridiksionin e Divjakës.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje për veprime të mëtejshme proceduriale.

Shtuar më 17/06/2019, ora 09:12
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori