Tek Guri i Kamjes, të huaj e shqiptar në kërkim të thesarit gjigant në Pogradec
Qyteti i Pogradecit njihet për bukuritë e liqenit por vitet e fundit është kthyer edhe në një qendër për Gjahtarët e Thesareve pasi në këtë zonë vazhdojnë të zbulohen gjetje arkeologjike.

Ndërsa për zonën e Mokrës që tashmë është e njohur për publikun pasi vetë shteti shqiptar vazhdimisht po bën kërkime për të gjetur thesarin e ``Mbretëreshës Teutë``, edhe një zonë tjetër është kthyer në pikë kërkimi për banorët vendas dhe për të huajt.

``Guri i Kamjes`` që ndodhet pranë fshatrave Dardhas (Beragozhd) dhe Osnat dhe që nga largësia të jep përshtypjen e një anije gjigande, është një synim i vazhdueshëm për gjetjen e thesareve të humbura gjatë kohës së romakëve.

albeu.com mëson se në këtë gur vazhdimisht bëhen kërkime nga banorët dhe të huajt dhe shpesh herë banorët thonë që është gjendur flori i humbur duke shtuar edhe më shumë kureshtjen e banorëve që të bëjnë kërkime për thesar.

E për ``Gurin e Kamjes`` nuk mungon edhe legjenda. Sipas legjendës në këtë gur piktoresk ekzostojnë 3 tunele ose puse në pjesët e lartme të tij. Këto tunele ishin të mbushur me ujë dhe hyrja në këto tunele të hap rrugën për në thesarin e shumëpritur.

Por tashmë pjesë e këtyre aventurave janë bërë edhe të huajt që kanë shteruar ujin në këto puse dhe sipas banorëve kanë gjetur edhe flori.

Por, duke lenë mënjanë legjendat albeu.com mëson se në këtë zonë vazhdimisht dalin shenja që konsiderohen të rëndësishme për Gjahtarët e Thesareve. Në këtë zonë janë gjetur: varreza të vjetra, gjarpërinj të gëdhendur në shkëmbinj, gurë në formë të breshkës, gurë në formë froni, kryqe të gëdhendur por edhe mbetje nga lufta nacional clirimtare.

E megjithatë ende nuk ka asgjë zyrtare nëse është gjetur flori, kjo ndoshta pasi dihet që nëse gjendet një thesar i tillë e konfiskon shteti shqiptar sipas ligjit.

Pavarësisht se gjen apo jo thesar një aventurë e tillë të bën të ndihesh si në filmin e Indiana Jones dhe gjurmët e arinjëve në këto zona ta shtojnë edhe dozën e frikës duke të lenë një ndjesi që nuk e harron gjatë gjithë jetës.-Ervin Shkulaku/albeu.com/
Shtuar më 11/01/2018, ora 11:21

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori