Të pathënat e zgjedhjes së Arben Krajës, pse humbi Dumani
'Mea Culpa' dhe eksperienca që ai pohoi gjatë garës për në krye të Spak i dhanë Arben Krajës dy vota më tepër nga kundërshtari i tij më i fortë për drejtimin e Spak.

Arben Kraja, i cili ishte në detyrë edhe ditën e fundit të 2019-s, por edhe ditët e para të 2020-s, cilësohet si njeriu me eksperiencën e duhur për të drejtuar skuadrën antikorrupsion deri në vitin 2022, aq sa edhe do të zgjasë mandati i tij si kryeprokuror.

Por, ndërsa përballë tij rivali më i fortë, Altin Dumani, përshkruhet si një prokuror efektiv në hetimin e korrupsionit, Arben Kraja konsiderohet me kritere më të forta për sa i takon përpilimit të rregulloreve, si edhe për faktin që ai mban dy diploma universiteti.

Gazeta “Si” zbardh përshkrimin që bëjnë kandidatët e KLP, që i dhanë Arben Krajës gjashtë vota dhe konkretisht anëtarët Bujar Sheshi, Kosta Beluri, Vate Staka, Nurihan Sehitaj, Alfred Balla dhe Aleksandër Beci. Madje, në një moment ish-prokurorja Nurihan Sehitaj e konsideron kriter plus faktin që Arben Kraja tha “mea culpa” për sa i përket dështimit të drejtësisë.

Përse të huajt braktisën mbledhjen?

Nga ana tjetër, prokurori i Posaçëm, Altin Dumani, jashtë pritshmërive iu dhanë katër vota. Madje, për këtë moment gazeta “Si” mëson ekskluzivisht, se sapo janë dhënë katër vota për Altin Dumanin që përshkruhej si “prokurori që donin ndërkombëtarët”, përfaqësuesja e OPDATE, Mishel Lakomy, ka braktisur mbledhjen, duke u larguar nga monitorimi i mbledhjes së KLP.

Gazeta “Si” u interesua pranë KLP më shumë gjatë këtyre ditëve për këtë veprim të përfaqësueses së OPDATE, por nuk mori asnjë përgjigjje nëse largimi i Lacomy ka ndodhur si shenjë proteste apo është thjesht dhe vetëm rastësi. Për këtë moment u pyetën nga gazeta “Si” disa nga anëtarët e KLP që e konfirmuan largimin e Lakomy menjëherë sapo ka mësuar që Dumanit i ishin dhënë katër vota.

Lakomy ka qenë mjaft aktive gjatë procesit të intervistimit për kandidatët e SPAK dhe shikohet si një nga monitorueset më efektive edhe të mbledhjeve të KLP, të cilat lejohet të zhvillohen me dyer të hapura vetëm pak minuta.

Më poshtë, gazeta “Si” po ju sjell se si e shikojnë kryeprokurorin e SPAK gjashtë persona që i dhanë besimin për të drejtuar si kryeprokuror SPAK.

Aleksandër Beci: Zoti Arben Kraja ka një pikë më tepër te kriteri që lidhet me hartimin e miratimin e rregulloreve administrative. Kjo vjen nga eksperienca dhe pozicioni që ai ka patur në Prokurorinë e Përgjithshme, që e kanë ndihmuar të ketë një kriter më shumë nga kandidatët e tjerë.

Kjo ishte që bëri dallimin e Arben Krajës nga dy të tjerët, për të cilët kam vlerësim maksimal. Është dhe një aspekt tjetër që kam vlerësuar te kandidati Arben Kraja, ndoshta formimi i tij edhe në fushën ekonomike, përmbushet me natyrë më të plotë në kriterin ndaj luftës së korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Nurihan Seitaj: Të gjithë e dimë se ka qenë një proces i vështirë. Pa u zgjatur në tablon e anëtarëve të SPAK e kemi bërë, ata u betuan. Për mua ishte sfiduese vetëm në një pikë, atë të përzgjedhjes.

Kam vënë re se paraqitja e tyre para Këshillit për mua zë një tablo edhe më të qartë, ndoshta anëtarët prokurorë e kanë më të qartë, paarësisht se na u vunë në shtjellim edhe dosje të tyre, ajo që bëri dallimin për mua ishte se zoti Kraja pati reflektim për deformimin e strukturës së drejtësisë, madje ai bëri një “mea culpa”, edhe pse nuk mund të jetë një fajësi personale. E dyta kishte eksperiencë si drejtues dhe e paraqiti në mënyrën më modeste, megjithëse e paraqiti modestisht. E treta ishte një konfiguracion origjinal se si ai e shikon drejtimin e SPAK.

Vate Staka: Unë vendosa që të votoj zotin Kraja për drejtues të Prokurorisë së Posaçme për disa elementë që bënin ndryshimin për kandidatët e tjerë. Fakti i shkollimit të tij, ka dy universitete. Së dyti është ndër të parët prokurorë të Prokurorisë së Përgjithshme për të drejtuar njësitë e Task Forcë. Nisur nga këto elementë, gjykoj se zoti Kraja i ka mundësitë për ta drejtuar SPAK.

Kosta Beluri: Patjetër vlerësimi im mbështetet te kriteret, me penalizimin për kandidatin Edvin Kondili për kriterin e drejtimit, i kam dhënë një pikë. Kandidatit Dumani i dhashë një pikë për vizionin e drejtimit, vlerësoj që nuk ishte i saktë në një kohë kur kemi si prokurori të decentralizuar ai tha që duheshin vlerësuar si ekip provat para se të shkonte në gjykatë.

Bujar Sheshi: Të tre kandidatët ishin plotësisht të aftë për të marrë drejtimin e SPAK. Për këtë shkak, unë vlerësoj dhe besoj se edhe dy kandidatët e tjerë do jenë pjesë e ekipit drejtues të kësaj prokurorie. Duke pasur parasysh se tri vitet e para kalojnë shpejt, ata do kenë mundësi të kandidojnë sërish. Nuk gjej veçori të tjera veç asaj që është një nuancë.

Për zotin Dumani, i vetmi element që ai plotëson në mënyrë të shkëlqyeshme, është mungesa e eksperiencës në hartimin e miratimit të rregulloreve. Zoti Kraja rezulton të ketë eksperiencë më të madhe në hartimin e rregullores. E njëjta gjë edhe për zotin Kondili, edhe ky një prokuror shumë i aftë.

Alfred Balla: Te zoti Arben Kraja eksperienca jetësore, karakteri solid dhe stabël më bëri të vlerësoj këtë kandidat. Për mua të tre janë të barabartë.

Procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit të SPAK, Gent Ibrahimi e konsideroi sipas fjalës së popullit “një fillim i mbarë është gjysma e punës”. Por sidoqoftë Ibrahimi nuk ia dha votën asnjërit prej rivalëve. Por me votën e tij, e cila në KLP ka vlerën e dy votave Gent Ibrahimi shmangu një balotazh mes rivalëve Dumani e Kraja, duke e ngritur kartonin për prokurorin tjetër të SPAK, Edvin Kondili.

Ndërkohë katër të tjerët, prej të cilëve tre prokurorë (anëtarë të KLP) dhe një avokat (anëtar i KLP) flasin për dorën e fortë hetimore të Altin Dumanit. Tartar Bazaj, Arben Dollapaj, Besnik Cani dhe Esmeralda Keshi.

Tartar Bazaj: Jemi përpara një situate ku realisht kemi zgjedhur elitën e prokurorisë dhe nga kjo elitë po zgjedhim më të mirin e SPAK. Është një investim kombëtar dhe ndërkombëtar, sot ne luajmë me fatet e kombit. Nga tre më të mirët unë vendosa për Altin Dumanin. Përse?

Duke iu referuar formularit të tij, ka ndjekur shumë çështje në hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka eksperiencë. Gjatë pyetësorit tregoi aftësi menaxhuese, guxim dhe aftësi drejtuese. Është i qartë në vizion dhe djalë energjik. Të tre kanë vlerë, ata janë aty me njëri-tjetrin. Sipas mendimit tim, ia jap votën zotit Dumani.

Arben Dollapaj: Të them të drejtën ka qenë një proces i rëndësishëm, shumë transparent. E vetmja nuancë nëpërmjet kandidatit të parë që rezulton Altin Dumani dhe kandidatit të dytë, që unë nuk po ia jap emrin që mos të ndikojë është hetimi, zoti Dumani ka përvojë në hetimin në fushën e korrupsionit dhe në hetimin e krimit. Në përfundim votoj zotin Dumani.

Besnik Cani: Pa diskutim që për të tre kandidatët ndaj vlera të barabarta. Nisur nga detajet, sipas bindjes sime unë mbështeta zotin Dumani, më rezulton që plotëson më së miri kriteret e integritetit moral, ashtu sikurse edhe e vlerësoi vetë Këshilli në listën e prokurorëve të Posaçëm. Çmoj që në raport që në kriterin menaxherial është i vetmi që ka mbajtur poste drejtuese dhe ka paraqitur dokumente që struktura që ai ka drejtuar kanë qenë histori suksesi.

Esmeralda Keshi: Kandidatët janë thuajse të barabartë dhe me indekstim të barabartë. Duke qenë se vota ime shkon për Altin Dumanin është eksperienca, por edhe vlerësimi nga ndërkombëtarët, sidomos në drejtimin e njësisë Task Force. Në çmimin tim ai ishte i qartë dhe konciz për drejtimin e SPAK.

Kush do ta drejtojë BKH?

Sikurse ka paralajmëruar ekskluzivisht gazeta “Si” në fillim të muajit janar do të hapet gara për Byronë Kombëtare të Hetimit. Në total, Byroja do ketë 60 hetues që do të jenë në shërbimin e prokurorëve antikorrupsion. Ndërkohë që kryeprokurori i SPAK ka caktuar komisionin që do të vlerësojë rregulloren dhe përzgjedhjen e drejtorit të BKH. Në komision janë përfshirë Edvin Kondili dhe Behar Dibra.

Ndërkohë që emrat që përfliten si hetuesit e SPAK nisin nga shefi i forcës së Ligjit Artan Shkëmbi, një oficer policie i parapëlqyer nga ndërkombëtarët, Vehbi Bushati, i emëruar shef i antikorrupsionit pranë Policisë së Shtetit, Gledis Nano po ashtu pjesë e strukturave antikorrupsion, por edhe mjaft ekspertë të tjerë policie mjaft të njohur dhe në zë për përpjekjet e pakompromis në luftën ndaj krimit të organizuar.

Së pari shpjegoi një burim i gazetës “Si” duhet që oficerët që plotësojnë kriterët të japin pëlqimin për përgjimin e privatësisë së tyre dhe të të afërmve, dhe në këtë pikë duket se shumë prej tyre po mendohen. Akoma më të vështirë për BKH e bën përfshirja nën testin e makinës të së vërtetës të cilën duket se shumë e kanë frikë.(SI)
Shtuar më 04/01/2020, ora 13:29

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori