Të pacënueshmit nga ligji!
Veriu i vendit për më shumë se një dekadë i ka parë ata të lëvizin lirshëm në këtë pjesë të vendit. Herë janë cilësuar si struktura paralele, herë paramilitare, ushtarake e policore serbe.

Të organizuara mirë, me armatim të sofistikuar, të pacenueshëm nga ligji dhe institucionet, që janë të thirrura për ta mbrojtur respektimin e tij, kanë organizuar gati papengueshëm kontrabandën me mallrat, që kanë ardhur nga Serbia, e në raste të caktuara edhe kontrabandën me njerëz dhe lëndë narkotike.

Vlerësimet për këto struktura ishin nga më të ndryshmet, por institucionet vendore që nga fundi i korrikut zgjatën dorën për të vënë ligjshmërinë edhe në këtë pjesë të territorit ende nuk i kanë identifikuar qartë këto struktura, pa ndëshkimin e të cilave tanimë është e qartë se nuk do të ketë qetësi dhe stabilitet në pjesën veriore të vendit.

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Ramadan Qehaja thotë se vlerësuar sipas rrjedhës së ngjarjeve të kohëve të fundit e në veçanti rezistencës dhe destruktivitetit të shfaqur në veri është e ditur, që përveç policëve të MUP-it, të cilët veprojnë haptazi, ka edhe ushtarak të profileve të ndryshme, por të kamufluar në rroba civile, të cilët kryejnë detyra të ndryshme, numri i të cilëve nuk është i vogël.

“Sidomos vrasja e policit tonë nga një specialist i veçantë e bën të kuptohet se atje ka forca dhe mjete të duhura policore, ushtarake dhe paramilitare, të cilat veprojnë me të madhe dhe janë në një numër mjaft të lartë”, thekson Qehaja.

Pavarësisht faktit se dihet që këto struktura janë të armatosura jo vetëm me armatim të lehtë, por edhe me arsenal të shkatërrimit në masë, gjuajtje në distancë, që përgjithësisht dëshmon se posedojnë armatim të sofistikuar, ai mendon se ne nuk mund të zmbrapsemi.

“Ne nuk mund të rrimë duarkryq, aq më pak për shkak se KFOR-i sipas kësaj marrëveshjeje do të veprojë deri më 15 shtator”, thotë Qehaja.
Ai mendon se ne duhet t’i bëjmë përgatitjet paraprake, në vazhdimësi të ngritjes së gatishmërisë vepruese të Policisë së Republikës së Kosovës, në mënyrë që gradualisht t’i marrim kompetencat tona të rendit së pari në dy pikat kufitare dhe mandej të fillojmë “t’i qërojmë hesapet me të gjithë ata destruktivët, që janë në brendi të territorit”.

“Pa kapjen e tyre, pa ndëshkimin e tyre situata nuk mund të qetësohet”, ka theksuar Qehaja.

Ndërkaq, Oliver Ivanoviq, sekretari shtetëror në ministrinë serbe për Kosovën në Beograd, nuk e pranon se në pjesën veriore të Mitrovicës funksionojnë strukturat paramilitare, ushtarake e policore të Serbisë.

Sipas tij, njerëzit atje ose janë nga institucionet e Serbisë ose janë banorë të thjeshtë të Mitrovicës, ndërsa reagimi i tyre vjen si pasojë e frikës për sigurinë e tyre dhe të familjeve të tyre.

“Nuk janë aspak struktura ushtarake, policore. Nuk mund të thuash kurrë se nuk ka ardhur dikush me qëllim. Mirëpo shumica dërmuese janë njerëz prej këtu dhe prej rrethit, dhe njerëz që janë duke ardhë prej frikës. Ata po tuten prej vetvetes”, ka thënë Ivanoviq.

Krejt ndryshe nga ai mendon eksperti Nuredin Ibishi, i cili thotë se ekzistojnë informacione për struktura paramilitare në veri, ndërsa sa u përket atyre policore ato tanimë janë identifikuar si të MUP-it serb, ndërsa përveç këtyre ka edhe struktura paramilitare të organizuara.

“Institucionet shtetërore duhet që në bashkëpunim të fortë me KFOR-in dhe EULEX-in së pari të sigurojnë pjesën e kufirit, me qëllim të ndërprerjes së kontrabandimit, jo vetëm të mallrave por edhe të arsenalit tjetër armatimit dhe municionit, ku qarkullon e lirë edhe kontrabanda me drogë”, thotë Ibishi.
Sado që tanimë është dokumentuar në disa raste se këto struktura paramilitare kanë edhe armatim të rëndë, ai mendon se këto forca nuk janë të papërballueshme.

“Janë forca të organizuara mirë, që nuk do të thotë se nuk mund të munden nga forcat tona legale. Pasi të bëhet menaxhimi i mirëfilltë i kufirit dhe sigurimi i tij, pastaj vjen çështja e operacionalizimit të punës me KFOR-in dhe EULEX-in, që këto formacione të çarmatosin strukturat kriminale në këto tri komuna”, thotë ai.

Zëdhënësi i EULEX-it Blerim Krasniqi ka thënë se EULEX-i është duke hetuar përbërjen e strukturave, që veprojnë në veri të vendit.

Më konkret në identifikimin e këtyre strukturave ka qenë gjenerali i KFOR-it, Erhard Buhler i cili pasi ka rikujtuar se kriminelët kontrollojnë gjithçka në veriun e Kosovës dhe ndezin tensione etnike sa herë që interesat e tyre kërcënohen, i ka identifikuar disa prej tyre edhe me emra.

Në një intervistë për gazetën britanike “Observer”, Buhler thotë se misioni ka zbuluar anëtarët e organizatave ekstremiste serbe si “Lëvizja Nacionale Serbe 1389” dhe “Lëvizja për Atdheun Serb –Nderi”, si dhe huliganët e futbollit në mesin e demonstruesve në veri të Kosovës.

Buhler ka thënë se pos këtyre kriminelëve dhe ekstremistëve shumë shërbime sekrete serbe besohet të luajnë rol në këtë trazirë. Sipas tij, vlerësohet se 2 mijë kriminelë udhëheqin rrjetin, që e mban botën –BE-në, NATO-n dhe OKB-në deri tek Këshilli i Sigurimit në maje të gishtërinjve. /Zëri/
Shtuar më 09/08/2011, ora 19:30

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori