Të gjithë presin vettingun, bandat lajnë rëhat hesapet mes tyre
Prej disa muajsh, Shkodra është kthyer në një Palermo të vërtetë të viteve të errëta të luftës së mafias. 11 të vrarë, dy të zhdukur në tetë muaj dhe asnjë i arrestuar. Bilanc më tragjik se ky nuk mund të kishte për një vend që nuk konsiderohet zonë lufte.

Vrasjet kryhen në mes të qytetit dhe emrat e porositësve përshpëriten bareve të qytetit, por policia ndjehet e pafuqishme për të ndërhyrë, pasi sistemi deri më tani ka treguar se nuk di të dënojë personazhe problematikë dhe brenda pak muajsh ata gjenden sërish në qytet duke sfiduar policët me makina të blinduara dhe ngërdheshje në fytyrë.

E gjithë kjo po ndodh në një periudhë, kur sistemi i drejtësisë po ribëhet nga fillimi, ndërkohë që prokurorë dhe gjykatës presin vettingun, i cili do të vendosë nëse do të vijojnë ose jo punën. Vetting do të ketë dhe për policët dhe krahas egërsisë së krimeve të Shkodër prej të shkuarës problematike mes grupeve që po përplasen, duket që edhe kjo situatë "në pritje" të ndikojë në të gjithë atë që po ndodh.

A mund të ketë gjykatës apo prokuror që godet një grup të struktuar kriminal duke e ditur që brenda pak muajsh mund ta shohë veten jashtë sistemit?

Po a mund të gjendet ndonjë polic me një rrogë qesharake që të shkojë të përballet me banda që gjenerojnë miliona euro prej aktivitetit kriminal ndërkohë që nesër mund të nxirret në rrugë të madhe?

Vettingu parashikohet të zgjasë më shumë se një vit për prokurorët dhe gjykatësit dhe më shumë për policët, thëntë Zoti të mos kemi mbaruar si popull deri atëhere!

Shtuar më 30/03/2019, ora 17:24

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori