Takimi me Nishanin, Ban Ki moon vlerëson arritjet e Shqipërisë
Në ditën përmbyllëse të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të pjesëmarrjes në Sesionin e 67-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u prit në një takim nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki moon.

Sekretari i Përgjithshëm e përgëzoi Presidentin Nishani për zgjedhjen e tij në krye të shtetit dhe shprehu vlerësime për kontributin e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në mënyrë të veçantë për angazhimin konkret të saj në procesin e reformës së OKB-së.

Ban Ki moon e përgëzoi Presidentin për organizimin e suksesshëm në Tiranë të Konferencës mbi procesin “Një OKB” dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të angazhimit dinamik të Shqipërisë në këtë proces.

Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki moon vlerësoi zhvillimet në Shqipëri duke e cilësuar vendin modern dhe me përparim të shpejtë. Ban Ki moon e falenderoi Presidentin Nishani për rolin moderues që Shqipëria luan në rajon dhe e inkurajoi të vazhdojë në këtë drejtim.


Kreu i Shtetit vlerësoi lart mënyrën me të cilën Sekretari i Përgjithshëm drejton organizatën universale dhe rolin e veçantë që ai ka luajtur në disa nga çështjet më të rëndësishme të agjendës ndërkombëtare, si lufta kundër varëfërisë, mbështetja dhe promovimi i të drejtave të njeriut dhe barazia gjinore. Presidenti Nishani vlerësoi qëndrimin koherent të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së mbi zhvillimet në rajon, paqen dhe sigurinë atje dhe në mënyrë të veçantë të gjitha aspektet që lidhen me Kosovën. /albeu.com/

Shtuar më 28/09/2012, ora 17:38

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori