Vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, jepen vendimet për 8 policët që ishin të pranishëm në vendngjarje

Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Elbasan dhe Korçë, në bashkëpunim me prokurorinë Elbasan kanë ekzekutuar 8 masa sigurie për punonjës policie të cilët kanë qenë në ngjarjen e vrasjes së Pjerin Xhuvanit me 21 prill 2021.

Bëhet me dije se 2 policë Albert Nushi dhe Nikollaq Palla janë lënë me arrest shtëpie, ndërsa  Dedjon Duraku, Pëllumb Bicaku, Erjon Balla, Erjon Meçja, Donald Dedja dhe Besmir Kadiu janë pezulluar nga detyra.

Akuza e ngritur mbi të akuzuarit është “shpërdorimit të detyrës”, pasi dyshohet se kanë dhënë deklarim të rremë.

Ende pritet një njoftim zyrtar nga AMP lidhur me rastin.

Si ndodhi vrasja e Pjerin Xhuvanit:

Pjerin Xhuvani, 56 vjeç, ka mbetur i vrarë më 21 prill të vitit 2021 pas një përplasje me armë ku u përfshinë disa persona.

Xhuvani ka mbetur i vrarë në Elbasan pasi është qëlluar me armë nga Arbër Paplekaj, shoqëruesi i kreut të listës së Partisë Demorkatike, Gazmend Bardhi. Paplekaj ka pranuar krimin duke thënë se ka qëlluar për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që po blinin vota.

Sekretari i PD-së Gazment Bardhi tha se ngjarja kishte ndodhur si përshkallëzim i një përpjekje për të ndaluar “një rast shit-blerjeje votash” ku përfshihej “një grup kriminal të mbështetura nga PS”. Bardhi tha se struktura e PD-së për “Mbrojtjen e Votës” kishte marrë sinjalizime se një person i quajtur Met Dafllaku po mblidhte karta identiteti dhe po shpërndante para./albeu.com