Tahiri: Në janar funksionalë komisariatet dixhitalë, Rama: Luftë korrupsionit me inovacion
Me qëllim që çdo shërbim të ofrohet shpejt dhe cilësor për qytetarin, kryeministri Edi Rama garantoi se dixhitalizimi së shpejti do të prekë çdo sektor. Ky ka qënë premtimi i dhënë nga kryeministri Rama, gjatë fjalës përshëndetëse në konferencën “Letërnjoftimi, siguria juaj për shërbime”.

Ai garantoi se së shpejti do të nisi dixhitalizimi i pronës dhe kjo do të zgjidhë njëherë e përgjithmonë disa shërbime të tjera. “Korrupsioni nuk është asnjë gjë tjetër përveçse alternativa e një shërbimi, të cilin qytetari e pret nga shteti. Kur ky shërbim është i avashtë, jo cilësor dhe shkak për të hyrë në procese të turbullta, korrupsioni paraqitet si një alternativë e shpejtë dhe efikase, kundrejt faturës”, deklaroi Rama.

“Ky proces inovacioni i jep qytetarit mundësinë të jetë më aktiv dhe më i lëvizshëm në raport me korrupsionin dhe luftën ndaj tij, e cila nuk mund të fitohet nëse çdo qytetar e delegon ndaj shtetit. Kjo nuk na çon aty ku të gjithë bashkë duam të mbërrijmë. Përmes këtij sistemi, qytetari e ka më të lirë të afrohet dhe ta çojë kontributin e tij në formë denoncimi, pasi nuk ndesh në sportelin e radhës, ku shfaqet nënpunësi dembel e parazit dhe kërkohet bakshishi i radhës”, u shpreh Rama.

Ndërkaq, në fjalën e tij gjatë konferencës “Letërnjoftimi, siguria juaj për shërbime”, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri nënvizoi rëndësinë e dokumenteve të reja të identifikimit, me elementë të shtuar sigurie, të cilat do të jenë në duart e qytetarëve prej janarit të vitit 2015.

Komisariati do gjendet kudo, në universitete, qendra tregtare kudo ku ka akses, për t’i dhënë qytetarëve një dritare për të komunikuar me institucionin. Pa pasur nevojë që të shpenzojë kohë për të ardhur për t’u paraqitur, për të aplikuar, për të pritur. Është 24 orë i hapur dhe pa asnjë kufizim përsa i përket komunikimit”, tha ministri i Brendshëm teksa prezantoi projektin.

Komisariati dixhital do të japë si shërbime administrative leje, licenca, autorizime që sot jep Ministria e Brendshme apo Policia, por edhe shërbime policore që janë informacione, deklarime, kallëzime, ose për çështje që mund të ketë kallëzuar në polici dhe nëpërmjet numrit unik, të interesohet për fatin e kallëzimit”, shtoi Tahiri.

Tahiri prezantoi gjithashtu edhe projektin tjetër inovativ për të shmangur rradhët në pikat kufitare. Në aeroportin e Rinasit do të pilotohet si sistemi më modern për leximin elektronik të pasaportës, fotografimin LIVE të shtetasit, dhe njëkohësisht duke aksesuar databazën e Ministrisë, për të ndaluar kalimin e personave në kërkim.

“Shërbimi E-Ggate, e ofron shërbimin për 20 sekonda për çdo qytetar dhe shmang rradhët e gjata në pikat kufitare dhe korrupsionin në to”, tha Tahiri. /albeu.com/

Shtuar më 11/10/2014, ora 11:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori