Tahiri hakmerret ndaj gjyqtarit që pezulloi Çakon: Ka liruar vrasës e përdhunues
Tahiri ka sulmuar sot gjyqtarin që pezulloi Çakon, pasi Prokuroria ka nisur hetimet edhe ndaj tij për ndikim në çështjen e skandalit të përgjimit me veprimet apo mos veprimet e tij.

Saimir Tahiri ka sulmuar drejtpërdrejtë gjyqtarin Arjan Aliaj, që me kërkesë të Prokurorisë vendosi të pezullojë nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çakon, për skandalin e pajisjes italiane të përgjimit.

Tahiri tha sot se gjyqtari kishte liruar kriminelë e përdhunues nga burgu dhe se ishte pezulluar më parë nga detyra.

“Po kush është gjyqtari që vendosi se drejtori i policisë, një njeri i ndershëm që ka ushtruar detyrën me ndershmëri, duhet të pezullohet.

Është një gjyqtar i shkarkuar për korrupsion dhe për mos përmbushje të detyrës. Për cilin motiv? Ka liruar nga burgu të paktën 7 herë njerëz të akuzuar për vepra të rënda penale, për tentativë vrasje, për përdhunim, vjedhje me armë, i ka liruar nga burgu.

Dhe ky gjyqtar u shkarkua. Dhe papritmas kthehet në detyrë. Po si mund të kthehet në detyrë një gjyqtar që liron një vrasës nga burgu, një përdhunues nga burgu, një njeri që vjedh me armë?

Dhe ky gjyqtar ka kurajon për të shkelur ligjin me të dyja këmbët dhe për të dhënë një vendim tërësisht politik.

Ky gjyqtar është fytyra e vërtetë e atyre që nuk e duan reformën. Ky Aliaj është fytyra e vërtetë e gjyqtarëve që ne nuk pranojmë e nuk duam.

Ky është fytyra e korporatës së korruptuar dhe shërbëtorëve politikë, sepse detyrën e kanë dhuratë nga pushteti edhe në kurriz të përdhunimeve e vrasjeve.

Ky gjyqtar, ky Aliaj që liron vrasës e përdhunues, që është shkarkuar dhe rikthyer në detyrë për shkaqe proceduriale.

Përfaqësuesi i frontit të keqes që përfshin prokurorët e gjyqtarët e qelbur nga koka që mbrohen nga shqupistë të qelbur nga koka që nuk duan reformën në drejtësi.

Të cilët duan të mbajnë Shqipërinë peng. A keni dëgjuar se çfarë thonë? Duan vende të rezervuara. Çfarë janë vendet e rezervuara?

Janë bunkeri i sigurtë për të futur dhe për të mbrojtur gjyqtarë të tipit Aliaj në sistemin e drejtësisë. Vendi i rezervuar është vend parkimi për gjyqtarë të korruptuar.

Flasin për drejtësi të pakapur, por unë nuk di njeri që ta dijë sot sistemin e drejtësisë të pakapur. Është drejtësia e kapur sot? Sigurisht që është. E kapur peng.

Ky Aliaj që ka liruar vrasës e përdhunues, sot u shërben porositësve politikë. Kjo nuk është drejtësia që ne duam për Shqipërinë e gjeneratës tjetër, për shqiptarët që janë sakrifikuar në vite e dekada që Shqipëria të jetë më e drejtë, që ligji të jetë njësoj për të gjithë, që institucionet të bëjnë detyrën, pavarësisht se kush është në pushtet, pavarësisht problemeve që koha ka grumbulluar.

Beteja jonë është kundër frontit të së keqes të atyre në sistemin e drejtësisë, gjykata e prokurori edhe në politikë, që nuk e duan reformën e drejtësisë. Ne këtë betejë do të fitojmë me çdo çmim e çdo kosto...". /albeu.com/

Shtuar më 08/06/2016, ora 12:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori