Tahiri, Çako, Llalla dhe Ajazi nuk i shpëtojnë pyetjeve për përgjimet
Pas skandalit të përgjimeve të denoncuar nga ish kryeministri Berisha, Tahiri, Llalla dhe Çako do të japin shpjegime. Mesa duket, pajisja e përgjimit ilegal nga ana e Policisë së Shtetit ka shkaktuar një alarm në institucionet shqiptare.

Lidhur me këtë çështje, Komisioni për Sigurinë Kombëtare do të thërrasë për të dëshmuar nesër ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, kryeprokurorin Adriatik Llalla, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako, kreun e SHISH, Visho Ajazi Lika.

Deputeti demokrat, Flamur Noka, i cili drejton Komisionin në mungesë të Spartak Brahos, tha se nesër do të thirren për të dhënë shpjegim për këtë çështje Tahiri, Llalla, Çako dhe Ajazi.

“Jemi të shqetësuar, kërkojmë seancë dëgjimore”, tha Noka duke theksuar se fillimisht nga ana e Ministrisë së Brendshme është mohuar ekzistenca e një pajisjeje të tillë.

“Në mbledhje të jenë të pranishëm kryeprokurori, kreu i SHISH dhe ai i Policisë së Shtetit”, ka kërkuar Noka.

Noka ka kërkuar që ministri Tahiri të japë shpjegime mbi pajisjen e përgjimit. "Ka dalë lajmi i një pajisjeje përgjimi, që fillimisht u mohua.

Më vonë rezultoi se prokuroria ka nisur një hetim. Kjo përbën krim të rëndë ndaj një grupi deputetësh të opozitës ndaj kemi thirrur Tahirin, Llallën, Vishën dhe Çakon.

Sepse ekzistenca e pajisjes shkel ligjin dhe të drejtat e njeriut. Nesër në ora 10:00 presim Tahirin të japë përgjigje. Në 11:00 presim Adriatik Llallën. Në 12:00 do thirret Haki Çako, dhe në 13:00 kreun e SHISH, për të dhënë shpjegime”, u shpreh Noka. /albeu.com/
Shtuar më 16/05/2016, ora 11:12

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori