"Synohet hyrja me forcë në Kuvend", Lleshaj kërcënon protestuesit
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se nga inofrmacionet e mbledhura, ditën e nesërme do të synohet hyrja me frocë në Kuvend nga ana e protestuesve.

Në këtë situatë policia ka njoftuar se do të bëj ndërhyrjet e nevojshme për çdo rast dhune që do të shfaqet gjatë protestës.

Kujtojmë se nga "frika" e protestuesve ditën e nesërme është anuluar edhe seanca Parlamentare.

Deklarata e Policisë:

Policia e Shtetit në zbatim të ligjit “Për tubimet”, si dhe në mbështetje të së drejtës së organizmit të tubimeve paqësore të qytetarëve, ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e protestës së njoftuar nga subjektet politike të opozitës, për datën 21 shkurt 2019.

Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, si edhe paprekshmërinë e institucioneve gjatë kohës së zhvillimit të protestës.
Nga informacionet e mbledhura nga shërbimet përkatëse, ka të dhëna për nxitje të dhunës dhe organizime me natyrë kriminale. Synohet hyrja me forcë në sallën e Parlamentit, duke ushtruar dhunë mbi personelin që ka detyrimin ligjor të sigurojë mbrojtjen e institucionit themelor të demokracisë.

Për të parandaluar çdo mundësi të tillë, Policia e Shtetit, u bën apel në radhë në radhë të parë organizatorëve që të distancohen hapur nga dhuna dhe të bëjnë thirrje për respektimin e ligjit nga çdo protestues. Po ashtu Policia e Shtetit u bën apel të gjithë atyre që duan të ushtrojnë nesër lirinë e tubimit dhe të drejtën e protestës, që të mos përfshihen në asnjë rast e për asnjë arsye në veprime të dënueshme ligjërisht.


Policia e Shtetit e siguron opinionin publik, se forcat e rendit dhe sigurisë janë të gatshme t’i përgjigjen me forcën e ligjit dhe në proporcionalitet të plotë, çdo veprimi të paligjshëm apo akti dhune. Po ashtu, janë marrë të gjitha masat për identifikimin dhe skedimin e çdo individi që do të evidentohet si shkelës i ligjit, si edhe për ndalimin e për nxjerrjen e çdo shkelësi përpara drejtësisë.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, për bllokimin e disa rrugëve që lidhen me vendin ku do zhvillohet protesta, si dhe për kontrollet e shtuara përgjatë akseve rrugore kombëtare, që ajo është e detyruar të zhvillojë, në interes të sigurisë së qytetarëve dhe të vetë protestës.

Ftohen të gjithë qytetarët që kanë informacione me rëndësi, të kontaktojnë në anonimat në numrin e telefonit pa pagesë 112, ose në Komisariatin Dixhital!
Shtuar më 20/02/2019, ora 17:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori