Sulm me armë në një klub nate në SHBA, mbi 20 të plagosur
Në Orlando të Floridës, raportohet se ka pasur një sulm me armë në një klub nate të frekuentuar nga homoseksualët, ku mësohet se kanë ngelur të paktën 20 të plagosur, ndërsa disa të tjerë raportohen të jenë marrë peng nga një agresor, i cili ka veshur edhe një brez me eksploziv.

Autoritetet kanë paralajmëruar njerëzit përreth të qëndrojnë larg vendngjarjes, pasi situata është ende e rrezikshme dhe në zhvillim e sipër. Dëshmitarët nga vendngjarja treguan fillimisht se 7 persona janë qëlluar në klubin e natës “Pulse”, ndërkohë që një reporter i një medieje amerikane tha se ai mund të ketë qëlluar mbi 20 persona, ndërsa i pengon të tjerët të dalin prej andej.

Ngjarja e dhunshme mësohet të ketë ndodhur pak përpara orës 2 të mesnatës, ndërkohë që qershori cilësohet edhe si muaji i paradave të homoseksualëve.

Policia ka konfirmuar reagimin e shpejtë ndaj këtyre të shtënave, ndërsa në vendngjarje janë parë edhe një sërë mjetesh emergjencash, sikurse edhe oficerë të armatosur me automatikë. Gjithsesi, ende nuk është konfirmuar asnjë detaj mbi incidentin. Një media e shkruar e Orlandos bën të ditur se reporteri i saj kishte parë agresorin të kishte edhe një bombë me vete. /albeu.com/

Shtuar më 12/06/2016, ora 11:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori