Kanabisi në repartin ushtarak në Zall Herr, lirohen nga qelia tre ushtarakët

Gjykata e Apelit ka liruar nga qelia tre ushtaraket, shefin e zbulimit Gramoz Mullai dhe dy specialistët e zbulimit Rustem Poçi dhe Gentian Zhurda.

Tre ushtarakët u akuzuan për shpërdorim detyre.

Mësohet se Gjykata ka pranuar kërkesën e avokatit Sokol Tahiraj dhe ka caktuar masën e sigurimit “arrest shtëpie”.

Gramoz Mullai në deklarimet e para, kishte pranuar që kanë konstatuar lëndën narkotike që në datën 10 korrik dhe kishte vënë në dijeni eprorin, por nuk kishte mbajtur procesverbal. Dy ushtarakët tjerë kanë pretenduar se nuk kanë konstatuar asgjë të paligjshme dhe se për shkak të territorit të thyer nuk është kontrolluar e gjithë zona.

Kanabisi i kultivuar në repartin ushtarak të Zall-Herrit u zbulua më 5 gusht 2023 si rezultat i operacioni “Fokusi”.

Kontrollet me dron kishin evidentuar një zonë ku dallohej se ishin kultivuar bimë narkotike, ndërsa policia sekuestroi 125 bimë kanabis.

4 të tjerë u vunë në hetim në gjendje të lirë, mes të cilëve edhe komandanti i repartit dhe zëvendës komandanti i togës. Pas zbulimit të parcelës me kanabis, për herë të parë në një repart ushtarak, ministri i mbrojtjes Niko Peleshi njoftoi pezullimin nga ushtria të personave të përfshirë./Albeu.com/