“Kufoma të mbuluara në çdo cep”, shqetësime për plaçkitje dhe kushtet higjienike rëndojnë punën e vullnetarëve në Turqi

Vullnetarët në qytetin turk të goditur nga tërmeti, Antakya, thanë të shtunën se plaçkitjet dhe problemet higjienike po i bëjnë më të vështira sfidat e tyre.

Një banor, që po kërkonte për një koleg në rrënojat e një ndërtese të shembur, tha se kishte parë plaçkitje në ditët e para pas tërmetit të së hënës.

“Njerëzit po thyenin xhamat dhe gardhet e dyqaneve dhe makinave,” tha 26 vjeçari Mehmet Bok.

Organizatat gjermane të ndihmës pezulluan operacionet e shpëtimit në rajonin e tërmetit të shtunën, duke përmendur si arsye problemet e sigurisë dhe njoftimet për përleshje mes grupeve të njerëzve dhe të shtëna me armë.

Autoritetet turke nuk kanë komentuar për përplasje, por Presidenti Tajip Erdogan tha të shtunën se qeveria do të përgjigjet me vendosmëri ndaj plaçkistësve dhe sjelljeve të tjera kriminale, duke vënë në dukje se ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme.

Numri i të vdekurve në Turqi dhe Siri ka tejkaluar shifrën 28,000.

Një tjetër vullnetare, Gizem nga provinca juglindore e Sanliurfas, tha se edhe ajo kishte parë gjithashtu plaçkitës në katër ditët që kishte qenë në Antakya, shkruan VOA.

“Ne nuk mund të ndërhyjmë shumë pasi shumica e plaçkitësve kanë thika,” tha ajo.

Në qytet ka një prani të madhe policore dhe ushtarake që drejton trafikun, ndihmon ekipet e shptimit dhe shpërndan ushqim.

Gizem e përshkruan Antakinë si një vend vdekjeje dhe shkatërrimi “Ne nuk mund t’i mbajmë lotët,” thotë ajo ndërsa sirenat e ambulancës dëgjoheshin në sfond.

“Nëse njerëzit nuk vdesin nën rrënoja, ata do të vdesin nga lëndimet, nëse jo do të vdesin nga infeksioni. Këtu nuk ka tualet. Është një problem i madh,” tha ajo.

“Trupat janë në të gjithë rrugët, të mbuluara me batanije.”

Qytetarët mbanin maska për t’u mbrojtur nga era e kufomave.

Të tjerë i bënë jehonë shqetësimeve rreth higjienës, veçanërisht numrit të pamjaftueshëm të tualeteve.

Në tualetet e përkohshme të lëvizshme kishte radhë të gjata, por shumë vetë thanë se thjesht po shkonin të gjenin një vend ku nuk i shihte njeri, gjë që shkakoi ankesa për erë të keqe.

“Mendoj se nevoja më e madhe është për produktet higjienike. Kemi probleme me tualetin, kam frikë se mos përhapet ndonjë sëmundje,” tha një burrë, i cili nuk pranoi të jepte emrin e tij dhe që udhëtoi nga Antalia për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit.

Ai tha se kishte pak koordinim.

“Po kërkojmë nën rrënoja për orë të tëra,” tha ai, duke përshkruar nxjerrjen gjallë nga rrënojat gjatë natës të një gruaje 56-vjeçare, me fytyrën e mbuluar me pluhur.

“Ne kemi nxjerrë rreth 150-200 trupa të pajetë”, tha ai./Albeu.com/