INTERVISTA/ Annie Fourcaut: Varfëria nuk ka asnjë lidhje, pse emigrantët po i vënë flakën Francës

Nga Francesca Salvatore “Il Giornale

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Ka kaluar më shumë një javë nga fillimi i protestave të dhunshme në Francë, pas vdekjes së të riut Nahel në Nanterre. Pas ditësh dhune dhe shkatërrimi, jo pak njerëz mendonin se do të kishte një rikthim tek qetësia. Por vdekja e një 27-vjeçari në Marsejë mbrëmjen e të shtunës në mesin e trazirave, rrezikon të ndezë një valë të dytë përplasjesh.

Shumë analistë dhe studiues, kanë vënë kohët e fundit në pikëpyetje gjendjen e keqe ekonomike dhe sociale të brezit të Nahel, dhe dështimin e modelit francez të asimilimit, duke mos u kënaqur me jetën në periferitë e lëna pas dore nga shteti.

Annie Fourcaut është profesoreshë e historisë bashkëkohore në Universitetin Paris 1 Panthéon-Sorbonne. Ajo është marrë shumë me studimin e konflikteve sociale dhe studimet e saj janë cituar shpesh këto ditë, në një përpjekje për të shpjeguar ngjarjet që po e tronditin Francën. Edhe pse e thekson se një historian e ka të pamundur të bëjë një analizë “në të nxehtë”, ajo pranoi t’u përgjigjet disa nga pyetjet që i drejtuam.

Sipas jush, trazirat e këtyre ditëve janë shumë të ndryshme nga ato të vitit 2005. Pse?

Studimet e mëvonshme sociologjike, treguan se trazirat atij viti korrespondonin me zonat më të varfra të periferive të trazuara, të ndërlidhura me shkallën e lartë papunësisë dhe familjet me shumë anëtarë. Në vitin 2023 nuk ka një lidhje të tillë. Sepse janë prekur rrethinat e varfra Sevran, Grigny dhe Trappes, por edhe Nanterre dhe Montreuil, që janë në fakt periferi të pasura (Nanterre është një zgjatim i La Défense, një zone biznesi e nivelit evropian, dhe Montreuil banohet nga artistë, stilistë etj).

Nanterre dhe Motreuil, cilësoheshin zakonisht si periferi të pasura dhe zakonisht të qeta. Dallimi i madh në krahasim me vitin 2005, është se këtë herë u prekën edhe qendrat e qyteteve. Ndërsa në vitin 2005 në rajonin e Parisit, rebelët nuk kaluan as unazën, as qendrën e Marsejës apo Lionit.

Sot nuk ka më ndonjë ndryshim të madh midis qendrave të metropoleve të mëdha dhe periferive të tyre të varfra apo të pasura. Trazirat po ndodhin kudo. Edhe në qytetet me një madhësi mesatare dhe kryesisht të qeta:Saint Quentin në Aisne, Mons en Bareuil në veri, Marommes në Normandi etj.

Gjithsesi duhet thënë se rajonet perëndimore, ku ka pasur më pak emigracion, janë më pak të prekura. Qytetet që kanë përjetuar trazira, kanë që të gjitha përqendrime të mëdha të banesave publike, dhe kjo është e vërtetë për Parisin verilindor:lagjet 18, 19 dhe 20.

Nanterre ka 52 për qind banesa publike. Ajo është një thuajse një qytet algjerian. Sarcelles ka 40 ose 50 kombësi nga e gjithë bota:tamilë, kurdë, asiro-kaldeas, turq, aziatikë. Familjet e punonjësve francezë, me përjashtim të më të varfërve, janë zhvendosur prej kohësh në periferi, ku po i blejnë shtëpitë e tyre falë subvencioneve shtetërore.

Një ndryshim tjetër është se në vitin 2005 asnjë parti politike nuk i mbështeti rebelët, ndërsa këtë vit partia France Insoumise po e justifikon dhunën dhe trazirat. Tubimi Kombëtar i Le Pen dha një shembull të kaosit me demonstratat e Nupes. Shumica e sociologëve (jo historianëve), politikanëve, mediave publike, artistëve, kineastëve etj flasin për zhgënjimin e të rinjve të varfër emigrantë të stigmatizuar.

Kjo ishte e vërtetë në vitet 1980-1990, por nuk përputhet më me realitetin e trazirave të vitit 2023, që janë vepër e një pakice të rinjsh me origjinë emigrante, por gjithsesi shtetas franceze; që janë jashtë shkollave, të dhunshëm, dhe të integruar në mënyrë të përkryer në shoqërinë konsumatore (shih plaçkitjen e dyqaneve të markave), ndonjëherë të shoqëruar nga militantë radikalë të ekstremit të majtë.

E majta kulturore është e përhapur gjerësisht në media, universitete, në fushën e kërkimeve shkencore dhe mediat publike, duke krijuar një atmosferë të ndjesës si shoqëri apo de-kolonializmit, që i justifikon trazirat.

Sipas jush, varfëria nuk mjafton për të shpjeguar disa reagime. Pse?

Një traditë e gjatë e protestave të dhunshme në Francë që nga fillimi i këtij shekulli, ka shkaktuar plaçkitje, daljen në skenë të ekstremistëve të dhunshëm (si Brigadat e Kuqe në Itali në vitet 1970) që duan të vrasin policët:kundër ligjit të punës nën kohën e Hollande, Jelekët e Verdhë, kaosi në Stade de France kur bandat e zhveshën tifozët anglezët gjatë ndeshjes, demonstratat kundër reformës së pensioneve, apo ato kundër vaksinave, kanë degraduar që të gjitha në dhunë dhe plaçkitje të dyqaneve në qendër të qytetit ose në rrugë.

Sa për policinë, them se ajo është përgjithësisht shumë republikane, tejet e disiplinuar, dhe vetëm një pakicë e saj është raciste. Vetëm në vitin 2022, patëm 28.000 refuzime të bindjes ndaj autoriteteve policore. Përplasjet mes të rinjve dhe policisë gjatë kontrolleve në anë të rrugës janë të vazhdueshme dhe gjithnjë të dhunshme (3 policë të vrarë në Roubaix gjatë një kontrolli rutinë, shumë policë të plagosur apo të tërhequr zvarrë me makina).

Shumë komisariate policie sulmohen rregullisht. 2023-shi është vetëm kulmi i një cikli dhune që ka zgjatur prej të paktën 20 vjetësh. Aktivistët radikalë duan të importojnë në Francë lëvizjen “Black Lives Matter”, edhe pse SHBA-ja dhe Franca kanë histori rrënjësisht të ndryshme.

Që nga viti 2005, rrjetet e drogës kanë hedhur rrënjë dhe janë përhapur në të gjithë lagjet me banesa publike, të drejtuara nga trafikantët e drogës dhe rrjetet e tyre, me armë, vrasje dhe përleshje të vazhdueshme midis bandave. Droga ekzistonte edhe në 2005, por ishte më pak e përhapur.

Sot është kudo, dhe Marseja është ekuivalenti i Baltimorës në serialin “The Ëire”. Droga ka pushtuar çdo industri. Disa shkolla janë detyruar të mbyllen sepse trafikantët e drogës qëllonin njëri-tjetrin në sheshin e lojërave. E njëjta gjë ndodh në rajonin e Parisit:Saint Ouen drejtohet nga tregtarët e drogës.

Në Nanterre trafiku i drogës ka penguar nga një program të madh të rinovimit urban. Ka shumë gjasa që ai të ketë luajtur një rol në trazirat që po shohim. Sepse sapo një program rinovimi urban prish zakonet, rrjetet e trafikantëve të drogës shkaktojnë telashe.

A ka dështuar shteti francez me periferitë e izoluara ose siç njihen në Francë banlieues?

Që nga viti 2003, janë investuar 40 miliardë dollarë për rinovimin urban, duke prishur ndërtesa dhe kulla, duke ndërtuar godina të vogla me shtëpi në pronësi private, për të krijuar një përzierje sociale. Ndaj s’mund të thuhet që shteti i ka braktisur këto lagje.

Po ashtu, janë bërë shumë përpjekje në shkolla dhe në sistemin arsimo. Franca është vendi i OECD me nivelin më të lartë të transfertave sociale, veçanërisht për familjet e emigrantëve që përfitojnë arsim falas, kujdesin mjekësor falas dhe mbështetje nga fondet e ndihmës sociale.

Por mbetet problemi i emigracionit të paligjshëm:vetëm në rajonin 93, supozohet se jetojnë 300-400 mijë emigrantë të paligjshëm, të cilët nuk kanë dokumente, por jetojnë në zonë dhe legalizohen gradualisht duke u transferuar më pas në banesa sociale. Shumë apartamente janë të mbipopulluara sepse janë të zëna nga disa familje, përfshirë emigrantë klandestinë që presin të pajisen më leje qëndrimi.

Atëherë çfarë po dështon? Makronizmi apo politika e asimilimit?

Macron nuk ka bërë kurrë një deklaratë të qartë për këto çështje, Ai flet herë për Republikën, dhe herë të tjera është më multi-kulturor dhe komunitar. Në thelb, ai është një liberal tipik që mendon se nëse bie papunësia dhe të gjithë të rinjtë kanë punë, do të zgjidhen të gjitha problemet.

Macron ka pasur sukses të madh ekonomik, me një reduktim të madh të papunësisë, krijimin e bizneseve të reja, liberalizimin e tregut të punës dhe hapjen e qindra mijëra vendeve të reja të punës. Por e ritheksoj trazirat e këtyre ditëve nuk kanë lidhje me shkaqe ekonomike. Problemi qëndron tek mungesa e respektit ndaj institucioneve të shtetit, policisë, drejtësisë, dhe tek ndjenja e mosndëshkimit që kanë këta të rinj.

Marrë me shkurtime

/albeu.com


Shtuar 7.07.2023 11:13

Tags: