Studentët e rretheve nisen në këmbë drejt Tiranës (VIDEO)
Sot është dita e 11 e protestës së studentëve dhe ende nuk ëhstë plotësuar asnjëra nga 8 kërkesat e tyre.

Edhe pse sot kushtet atmosferike janë të pafavorshme, studentët kanë sfiduar të ftohtin dhe shiun që vijon të bie në Tiranë dhe janë mbledhur para Kryeministrisë.

Por jo vetëm në Tiranë, pasi edhe në Universitetet e tjera studentët janë revoltuar dhe shumë prej tyre janë nisur drejt Tiranës.

Studentë nga Korça, Elbasani, e Shkodra, kanë bërë me dije se janë nisur drejt Tiranës për tu bashkuar me protestën e të rinjve para Kryeministrisë.

ELBASAN
Përveç atyre studentëve që u nisën drejt Tiranës, një tjetër grup u mblodhën para Universitetit ‘Aleksandër Xhuvani’ ndërsa bënë thirrje për pjesëmarrje masive në protestë. Ata u shprehën se: “Mësimi është bojkotuar jo për të mbushur kafenetë, por për të luftuar për të drejtat e tyre”.

KORÇË
Studentët e universiteti të Korçës kanë bojkotuar mësimin, ndërsa grupe të ndryshme janë nisur drejt Tiranës. Ata do t’i bashkohen protestës që do të mbahet para Kryeministrisë, ndërsa të gjithë janë në pritje të plotësimit të 8 kërkesave që i janë parashtruar njëzëri qeverisë.

STUDENTË NGA LEZHA NË KËMBË DREJT TIRANËS
Studentë, gjimnazistë, të rinj nga Lezha janë nisur në këmbë drejt Tiranës, ku do t’i bashkohen protestës që po mbahet tek Kryeministria.

Teksa mbajnë një banderolë në duar, ‘Për demokraci’ të rinjtë kanë sfiduar të ftohtin dhe shiun, ndërsa ecin në këmbë përgjatë Lezhë-Milot.

SHKODËR
Studentet e universitetit “Luigj Gurakuqi” janë nisur drejt Tiranës për të vijuar atje protestën e tyre. Nga sot protesta e studenteve të universitetit të Shkodrës do të jetë në Tiranë bashkë me pjesën tjetër, ndërsa nisja do të bëhet çdo ditë në ora 9:00 tek teatri “Migjeni”. Studentët i bënë thirrje qytetarëve që t’i ndihmojnë me shuma monetare për t’i mundësuar rrugëtimin atyre.

GJIROKASTËR
Edhe studentët e Gjirokastrës janë hedhur sërish në protestë, ndërsa kërkojnë plotësimin e 8 kërkesave të tyre.


Kerkesat e studentëve:
1-Rritja e buxhetit me 5 % e GDP me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës, Universitet/konvikt.

2-Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe IAL-ve, publikimi i të gjitha shpenzimeve online.

3-Rritja nga 10 % në 50 % e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan, rektor dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.

4-Rishikim i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.

5-Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillet e Studentëve, Ligji i Arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga MASR dhe IAL-të si dhe të shtohen një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

6- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019 (të ndiqen nga bashkitë përkatëse)

7-Ndërtimi i një biblioteke me standarde Europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.

8-Vlerësim i perfomancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikim i tij, online dhe regjistrimi i leksioneve.
Shtuar më 14/12/2018, ora 11:14

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori