E FUNDIT/ Aksident në Korçë, plagosen rëndë 4 persona
Statistika të frikshme të aksidenteve rrugore në shqipëri, çdo dy ditë vdes një person
Gjatë muajve të verës, nisur edhe nga shtimi i mjeteve në qarkullim, shtohen edhe aksidentet automobilistike. Për këtë arsye, Policia Rrugore herë pas here u drejtohet përdoruesve të makinave, por edhe këmbësorëve, që të tregohen të kujdesshëm.

Megjithatë, duket se shumë prej shoferëve, të paktën në 87 për qind të rasteve, sipas Instat, janë shkaktarë të aksidenteve të rënda. Shkak për ngjarje të tilla bëhet shpejtësia tej normave të lejuara, përdorimi i alkoolit gjatë drejtimit të mjetit apo edhe i celularit.

Në raportin për muajin janar-maj, që publikoi Instat dy ditë më parë, rezulton se një person humb jetën në aksidentet automobilistike çdo dy ditë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, shifrat e ngjarjeve rrugore vijojnë të jenë të larta, edhe pse kanë një tendencë në rënie, krahasuar me vitet e kaluara.

Gjatë periudhës që i referohen statistikat, rezulton të kenë ndodhur 583 aksidente, pra, për 5 muaj, gjatë të cilëve kanë humbur jetën 76 persona, ndërsa 697 të tjerë janë plagosur. Sipas Instat, në 87 për qind të rasteve, shkaktarë të aksidenteve janë drejtuesit e mjeteve, shkruan Panorama.

Megjithatë, duket se një përqindje jo e vogël e këtyre ngjarjeve ndodh edhe nga pakujdesia e këmbësorëve, kryesisht kur nuk përdorin mbikalimet apo edhe kalojnë nga njëri krah i rrugës, jo te vendi i caktuar me vizat e bardha.

POLICIA

Thuajse çdo ditë, Policia e Shtetit shpërndan mesazhe sensibilizuese për përdoruesit e rrugës, në mënyrë që të ketë ndikim në parandalimin e aksidenteve. “Një automjet i drejtuar në kundërshtim me rregullat e qarkullimit është njësoj si një armë e mbushur në duart e gabuara, vret po njësoj.

Në rrugë udhëtojnë të gjithë, duke filluar nga fëmija i pafajshëm deri tek i moshuari i pambrojtur, përfshirja në aksidente rrugore shkakton jo vetëm trauma dhe dhimbje, por edhe pasoja të parikuperueshme në të ardhmen, të cilat ndikojnë jo pak në çrregullimet sociale dhe veset negative të shoqërisë, kryesisht të përdoruesve të rrugës, të cilët nuk denjojnë të japin përparësi, ecin me shpejtësi, drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit, pa menduar se sjellja e tyre në trafik cenon rëndë sigurinë e jetës në rrugë. Alkooli dhe shpejtësia nuk vlejnë sa siguria në rrugë”, është mesazhi që shpërndau dje Policia e Shtetit.

AKSIDENTI

Një aksident rrugor, me pasojë vdekjen e një këmbësoreje, ndodhi mëngjesin e djeshëm në Tiranë. Policia tha se ngjarja ndodhi në bulevardin “Blu” në Kamzë, ku 32-vjeçari me iniciale A.M. përplasi me makinën e tij këmbësoren L.L., 53 vjeçe.

Pas ngjarjes, drejtuesi i mjetit u largua, por u identifikua me anë të kamerave të sigurisë përreth vendit të aksidentit. Më pas, ai është paraqitur vetë në Komisariat, duke u vetëdorëzuar. Policia tha se u bë arrestimi i 32- vjeçarit për veprat penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”.

Javën që kaloi, vetëm në Tiranë humbën jetën në aksidente 5 persona, nga të cilët 3 ishin pjesëtarë të një familjeje, që po ktheheshin nga ditëlindja. Dy prindërit dhe vajza e tyre që festoi 22-vjetorin, mbetën të vdekur në vend, ndërsa u plagos rëndë edhe vajza tjetër e tyre. Për këtë ngjarje, Policia tha se shkak u dyshua shpejtësia tej normave të lejuara.
Shtuar më 23/06/2019, ora 16:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori