Stafet spitalore në biznes me zyrat e funeraleve (FOTO-LAJM)

Pëlqej
Në mungesë të ambulancave apo mjeteve të spitalit, qytetarët janë të detyruar të sigurojnë vetë transportin e të afërmve të tyre që janë të sëmurë apo ndërrojnë jetë nëpër spitale.

Sipas një investigimi të bërë së fundmi nga emisioni "Fiks Fare", në disa prej spitaleve kryesore të vendit, stafet spitalore janë të lidhura në marrëdhënie biznesi me zyrat e funeraleve.

Në urgjencat e spitaleve, mjekët dhe infermierët janë të gatshëm të japin numrat e miqve të tyre që kanë agjenci private funeralesh. Ato në shumicën e rasteve i telefonojnë vetë, pastaj i japin gazetares numrin e telefonit.


KORÇE

Fiksi: Ka shoqja ime të atin shumë sëmurë, mos është tek kjo urgjenca këtu? Më tha që është shumë sëmurë edhe është nga Çifligu, një fshat kështu, edhe më tha që pyet ndonjë se nëqoftëse e gjen gjë, me çfarë dërgohet kufoma? Mund të marrim ndonjë ambulancë?

Infermierja: Jo, jo, s’të japin ambulancë këtu. Do që të kesh ndonjë numër ti?

Fiksi: Po.

Infermiere: Ore flori, jepi një numër varrimi kësaj nga këto të pikave, se ka një rast edhe thotë s’dihet ç’më ndodh thotë, se jam me një shoqkë thotë dhe ka të atin shumë të sëmurë, edhe mos na ndodhi gjë thotë dhe të kem këtë.

Infermieri: E kam një unë po a do dalë? Prit ta marr.

Fiksi: Po ma jep ta kem njëherë numrin dhe nëse më del, t’i them emrin tuaj, që ma ka dhënë filani dhe..

Infermieri: Hë mo ç’bën? Ore, jo, jo, do të pyes për diçka, është një gocë këtu dhe interesohet, po nuk është nga këtuja, jeton në Tiranë kjo goca apo jo ë? Dhe thotë kam një rëndë dhe dua që të kontaktoj me ju thotë, e bre e, mirë, mirë, mirë.

Infermieri: Shiko, thotë ai të vini të kontaktoni në në zyrat poshtë ku janë..

Fiksi: Ok.

Fiksi: Kam babain e shoqes në gjëndje të rëndë këtu dhe ajo më kërkon ndihmë, duam të dimë nëse i ndodh diçka të sëmurit ka ambulancë?

Roja i spitalit: Vjen makina e funeralit.

Fiksi:Është privat apo shtetëror?

Roja i spitalit: Është privat makina e funeralit.

Fiksi: Po ka një numër telefoni që mund ta kemi gati apo e lajmëron vetë spitali.

Roja i spitalit:Ti mos u ashtu… Po të them në sekondë i ke makinat këtu, vjen vetë.

Fiksi: Po kush e lajmëron?

Roja i spitalit: E lajmërojnë këto.

Fiksi: Infermierët?

Roja i spitalit: Po e lajmërojnë ata.

Fiksi: Domethënë kujdesen ata?

Roja i spitalit: Po, mos ki… pa merak! Ajo të vjen në moment.

Fiksi: Po e lajmërojnë gjithmonë infermierët atë?

Roja i spitalit: Po gjithmonë për të tërë pavionet i lajmërojnë ato.

Fiksi: Domethënë infermieri vetë merr atë?

Roja i spitalit: Ee, i lajmërojnë, kanë ato të tyret edhe vijnë, se ua kanë numrat ato.



BERAT

Fiksi: Zonjë, më falni pak ju lutem. Jeni infermiere ju apo jo?

Infermierja: Po.

Fiksi: Nëse i ndodh gjë atij ka një ambulancë spitali apo duhet të interesohemi vetë për ndonjë zyrë funerali?

Infermierja: Po, po.

Fiksi: Duhet të interesohemi vetë?

Infermierja: Vetë.

Fiksi: Unë s’di as ku të gjej ndonjë numër kontakti, mos ka ndonjë nga infermierët?

Infermierja: Ja dy minuta do të zbres unë.

Fiksi: Të të pres këtu?

Infermierja: Po, pritmë këtu.

Fiksi: Të bezdisa zonjë?

Infermierja: Më fal një çikë për vonesën. Ky është për aty ke funerali.

Fiksi: Ky është?

Infermierja: Do takosh këtë, do flasësh me këtë. Do numrin e celularit të këtij?

Fiksi: Po po,

Shoferi i ambulancës: Kam dy numra. Jepja numrin tim.

Infermierja: Kontaktoni me këtë.

Fiksi: Ju jeni këtu?

Shoferi i ambulancës: Unë këtu punoj.

Fiksi: Edhe punoni?

Shoferi i ambulancës: Edhe punoj këtu te barela, jam barelist.

Fiksi: Domethënë të gjej këtu.

Shoferi i ambulancës: Jam këtu në çdo moment tek urgjenca. Më bëj një telefonatë, njëri numër është i imi, tjetri i kunatit.



VLORË

Fiksi: Mund të na japi spitali një ambulancë?

Kryeinfermierja: Ka ambulancë private që punon.

Fiksi: Ndonjë numër të ndonjë ambulance. Ju jeni infermiere?

Kryeinfermierja: Unë jam kryeinfermierja.

Përshëndetje! K… jam. ǒkemi? Ça bëni juve? Do flasësh me një zotëri të lutem? Duan të transportojnë dikë për në Radhimë, urdhëro foli.

Fiksi: Më jep një numër?

Kryeinfermierja: Jo, foli një herë kështu, pastaj…

Fiksi: Si kalove, mirë, donim të transportojmë një për Radhimë, po. Sa kushton? Në ça vendi? Po, brenda në Radhimë brenda, brenda. 60 mijë lekë (të vjetra) ok. Tani po e marr numrin unë dhe të vij të takoj.

Fiksi: Ma jep numrin.

Kryeinfermierja: Po patjetër si s’do ta jap. 069…

Fiksi: Po.



ELBASAN

Fiksi: Kam një të sëmurë rëndë për ta çuar për në Peqin. Ndonjë ambulancë, ndonjë gjë për ta çuar?

Mjeku: Ku do e çoni?

Fiksi: Në shtëpi.

Mjeku: Këto ambulancat që kam, i kam dy ambulanca për urgjencat e qytetit, ti e kuptove? Nuk mund të jap ambulancë, ta heq nga puna se këtu mund të ndodhë aksidenti, mund të ndodhi vizita shtëpie. Edhe jemi në gatishmëri. Unë ambulancat nuk i heq nga puna.

Fiksi: Po si i bëhet?

Mjeku: Po interesohu, shiko, si rregull ne nuk çojmë ambulancë a më kupton? Unë po deshe të jap një numër, tek ku? Në Peqin është? Po deshe, të jap një numër, po deshe një ambulancë private? Prit ta kërkoj unë një minutë se këto ambulancat tona nuk i lëvizim dot. Edhe nuk kanë urdhër të lëvizin nëpër shtëpi.

Fiksi: Po na jep një numër se na ndihmon.

Mjeku: Të jap një numër unë dhe e merr e çon. Pret kjo punë për një çerek ore, 20 minuta?

Fiksi: Po, edhe një orë.

Mjeku: O…, dëgjo tashi, ai shoku yt që ka atë ambulancën private, tashi është një rast, një moshë e vjetër këtu tek kirurgjia, rrezik… ta çojnë në shtëpi në Peqin, tashi lajmëro të vijë me ambulancë aty dhe më kthe përgjigje tashi shumë shpejt mua, për sa vonohet, më tha doktor H… thuaj, për sa vonohesh ti? Se i kam këto familjarët këtu, për ta çuar deri në Peqin, për gjysëm minuti më kthe përgjigje.

…Atëherë ti do vish këtu tek urgjenca apo t’ia jap numrin tat unë dhe të flasin me ty këta? Shumë mirë o vëlla, për gjysëm ore treçerek ore ti vjen me ambulancë, ok, dakord u zgjidh. Shiko, shënoje këtë numrin 068… N… quhet ky shoferi i ambulancës

Fiksi: Faleminderit

Mjeku: Më çoi…, ju mori në telefon, ju do e merrni mbas një gjysëm ore.

Fiksi: E njihni atë, është vendali këtu apo janë nga fshati?

Mjeku: Rri këtu mo, në Kuç janë këta, kanë ambulancën, e kanë shumë të mirë, gjermane, e kanë makinë të mirë.
Shtuar më 04/09/2014, ora 09:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori