ERE refuzon kërkesën e prodhuesve të bukës, nuk do të rishikohet çmimi i energjisë për furrat

Enti Rregullator i Energjisë nuk ka rënë dakord me furrat e bukës për rishikim e çmimit të energjisë të aktiviteteve të këtyre të fundit.

Në vendimin e bërë publik nga ERE, arsyetohet se FSHU nuk ka plotësuar kriteret, mbi të cilat do të mund të vlerësohen dhe të analizohen kostot e aktivitetit si dhe niveli i të ardhurave.

Kërkesa për rishikimin e çmimit të energjisë u depozitua pak muaj në parë, ku shoqata kërkonte aplikimin e drejtë dhe jodiskriminues të çmimeve të energjisë elektrike ndaj klientëve, si dhe përfitimin e çmimit vetëm për aktivitete të caktuara.

Sipas tyre, ndarja e ambienteve për qëllime të faturimit të energjisë së konsumuar ka shkaktuar probleme, si dhe abuzime duke sjellë rritje të kostove për shumë furra buke dhe prodhues mielli. Por, pavarësisht këtyre qëndrimeve, Enti Rregullator i Energjisë nuk e mori parasysh kërkesën e tyre.

“Në  përfundim  të  afateve, në kushtet kur asnjë nga palët nuk ka përcjellë në ERE sa lënë detyrë vlerësojmë se kërkesa e FSHU nuk ka plotësuar kriteret mbi të cilat ERE do të mund të vlerësojë dhe analizojë kostot e aktivitetit ushtrimor të shoqërisë, nivelin e synuar të të ardhurave  të kërkuara e më tej të vijojë me fillimin e procedurës dhe zhvillimin e procesit të përcaktimit të çmimeve të shitjes së energjisë elektrike për konsumatorët të cilët shërbehen nga FSH.

Kërkesa për rishikimin e çmimit për kategorinë furra buke ose prodhim mielli do të çonte në rishikimin e çmimit për të gjithë kategoritë e konsumatorëve. Furnizuesi i Shërbimit Universal duhet të paraqesë informacion të detajuar mbi alokimin e kostove dhe kapaciteteve reale për 12 muajt e fundit, për secilën kategori  klientësh, në mënyrë që të kryhet një vlerësim i drejtë  dhe  i  mbështetur në të dhëna konkrete dhe reale”  argumenton ERE.