SHBA: I kemi dhënë Shqipërisë 25 milion dollarë grante pas sulmeve kibernetike

Shtëpia e Bardhë po jep 25 milionë dollarë për Kosta Rikën, pasi i dha Shqipërisë ndihmë të ngjashme pas agresionit të hakerëve iranianë.

“Shqipëria ka marrë 25 milionë dollarë grante nga Administrata Biden pas sulmeve kibernetike të lidhur me hakerat iranianë”, thuhet në një artikull të revistës së njohur amerikane “Wired”.

“Wired” ka  cituar në kushtet e anonimatit një zyrtar të lartë të Shtëpisë së Bardhë i cili u tha gazetarëve se qeveria amerikane i ka dërguar Shqipërisë gjatë muajit shkurt të këtij viti, 25 milionë dollarë për të përballuar pasojat e sulmeve shkatërruese ndaj platformave qeveritare.

Gjithashtu në artikull thuhet se qeveria amerikanë po planifikon t’i dërgojë Kosta Rikës një ndihmë të ngjashme në vlerën 25 milionë dollarë për të forcuar infrastrukturën e saj digjitale pas sulmeve kibernetike.

Zyrtari amerikan shton se administrata Biden ka zgjedhur ata që do të përfitojnë nga financimi për të forcuar sigurinë kibernetike bazuar edhe në impaktin e sulmeve që ndodhën. Sulmi kibernetik i Iranit ndaj Shqipërisë, thotë zyrtari i Shtëpisë së Bardhë meritoi vëmendje të veçantë pasi ishte sulm ndaj një vendi anëtar të NATO-s.

Gjatë një konference për sfidat e sigurisë kibernetike të organizuar në Tiranë më 7 shkurt 2023, ambasadorja amerikane Yuri Kim deklaroi se SHBA po zbaton një nga përpjekjet më të mëdha të ndihmës kibernetike që arrin në 50 milionë dollarë në mbështetje të Shqipërisë dhe ky është vetëm fillimi.

Deri më sot asnjë nga zyrtarët shqiptarë nuk e ka përmendur publikisht grantin prej 25 milionë dollarësh te dërguar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që do të shërbejë për të ndërtuar një mur të fortë përballë sulmeve kibernetike ndaj vendit tonë dhe nuk dihet sesi po përdoren këto para, në mënyrë që sistemet tona të jenë të mbrojtura, që të dhënat e qytetarëve të mos bien sërish në duar të hakerëve dhe të dalin në publik./Albeu.com/