Rritet frikshëm numri i të prekurve nga koronavirusi në Turqi

Turqia po hyn vrullshëm mes vendeve më të prekura nga koronavirusi me një numër të prekurish që rritet me mijëra çdo ditë.

Vetëm ditën e djeshme, në Turqi janë konstatuar rreth 2 400 raste të reja duke e çuar numrin total të rasteve në mbi 18 000, ndërsa numri i të vdekurve ka arritur në 356.

Turqia renditet tani në vendin e dhjetë ndër shtetet më të prekura nga koronavirusi me një diferencë të vogël me Zvicrën.

Numri i të prekurve nga koronavirusi ka kaluar 1 milion ditën e djeshme, ndërsa numërohen rreth 53 mijë të vdekur në rang botëror, ku pjesa më e madhe janë në Spanjë, Itali, Kinë dhe SHBA.

Ajo që i shqetëson studiuesit ka të bëjë me faktin se momentalisht, Turqia ka ritmin më të lartë të rritjes së numrit të të prekurve në raport me ditët e para të shfaqjes krahasuar edhe me Italinë dhe Spanjën. Kjo bën që skenaret të jenë të frikshëm në ditët e ardhshme. /albeu.com


Shtuar 3.04.2020 08:12