Spanja bën progres në betejën me pandeminë, numri i viktimave më i ulti në 9 ditët e fundit
Numri i vdekjeve të koronavirusit në Spanjë është 674 viktima në 24 orët e fundit, me 12,418 të vdekur në total. Ky është numri më i ulët i viktimave i regjistruar në nëntë ditë.

Është gjithashtu hera e parë që nga 28 marsi që vdekjet e përditshme kanë rënë nën 800 vetë.

Numri i rasteve të regjistruara u rrit në 130,759 nga 124,736 një ditë më parë, sipas ministrisë spanjolle.

Rritja prej pesë për qind e infeksioneve ishte rritja më e vogël që nga fillimi i krizës shëndetësore. Shifrat e fundit erdhën kur Kryeministri i Spanjës paralajmëroi se mbijetesa e Bashkimit Europian ishte në diskutim dhe bëri thirrje për një plan të ri “Marshall” për Europën për të rindërtuar ekonomitë e këtij kontinenti.

Në një artikull të botuar sot në “Guardian”, Pedro Sanchez shprehej:

“Sfida, me të cilën përballemi, është e jashtëzakonshme dhe e pashembullt. Ajo kërkon një përgjigje të vetme, të bashkuar, radikale dhe ambicioze për të ruajtur sistemin tonë ekonomik dhe shoqëror dhe për të mbrojtur qytetarët tanë.

Spanjollët gjithmonë e kanë mbrojtur projektin europian. Është koha e reciprocitetit. Me ne, me Italinë dhe me secilën nga 27 vendet e Bashkimit”.

Shtuar më 05/04/2020, ora 13:31

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori