Në “ethet” e përjashtimit nga gara, flasin kandidatët e 14 majit: Sulm i qëllimshëm nga PS, po shohin humbjen

3 kandidatë për kryetarë bashkie në zgjedhjet vendore të 14 majit, duhet të marrin për herë të dytë dritën jeshile nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për t’u bërë zyrtarisht pjesë e garës.

PS ka ankimuar pjesëmarrjen në zgjedhje të Rezeart Tushës, kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Shijakun, me pretendimin se në formularin e dekriminalizimit ka fshehur faktin se është është dëbuar nga Zvicra për trafik droge.

Vetë Tusha e ka hedhur poshtë këtë pretendim të PS, duke thënë se e vëretetë është siç e ka deklaruar në formular.
Tushe ka deklaruar se është dëbuar nga Zvicra për shkak të shkeljes së lejeqëndrimit.

I kontaktuar nga gazetarja e Gazetës Express Beklie Koltraka, kandidati Tushe tha se nuk ndihet i rrezikuar për t’u përjashtuar nga gara. Ai pret që të rikonfirmohet.

Prononcimi i Rezart Tushës

Pyetje: Dje KQZ ka anuluar renditjen e kandidatëve për kryetar bashkie në fletët e votimit për shkak të ankimeve për 3 kandidatët, një prej të cilëve jeni ju. Shorti do të hidhet pasi të shqyrtohen ankimimet e bëra për ju dhe dy kandidatë të tjerë si subjekte të dekriminalizimit. A e ndjeni veten të rrezikuar për t’u përjashtuar nga gara e 14 majit?

Rezart Tusha: Jo aspak sepse çfarë kam pasur për të deklaruar e kam deklaruar në formularin e dekriminalizimit dhe deklarimi që kam bërë nuk më penalizon fare. Nga KQZ pres thjesht konfirmim sepse unë jam në regjistër në KQZ dhe ligji nuk ma ndalon regjistrimin sepse unë nuk kam bërë shkelje penale. Edhe deklarimin e dekriminalizimit e kam bërë të rregullt siç e kërkon ligji. Unë s’kam pasur asgjë nga ajo që thonë socialistët, por vetëm një kundravajtje për punë emigracioni kur kam qenë në Zvicër. Pretendimet e këtyre të PS që jo është arrestuar etj, janë të gjitha trillime. Edhe para dy vjetësh kur kam kandiduar për deputet ma kanë bërë këtë por edhe tani. Është sulm i qëllimshëm sepse e shohin humbjen. Mundohen me çdo lloj mënyre që të më intimidojnë që të tërhiqem nga gara por unë nuk tërhiqem sepse jam në të drejtën time dhe shumë i pastër.

Pyetje: Si e shikon garen e 14 majit ne zonën që përfaqësoni?

Rezart Tusha: Ne presim me datë 15 që të marrim bashkitë sepse e kemi të fituar.

Kurse në shenjestër të opozitës janë dy kandidatët e PS, në Mallakastër dhe Kuçovë. Kryebashkiaku i Kuçovës Kreshnik Hajdari që rikandidon sërish në këto zgjedhje nga opozita ai akuzohet për fshehjen e dënimit në Greqi, për kalim të kufirit në mënyrë të paligjshme. I kontaktuar nga Gazeta Express-Shqipëri përsëriti se nuk ka se çfarë ta penalizojë për kandidimin e tij.

Prononcimi i Kreshnik Hajdarit

Pyetje: Dje KQZ ka anuluar renditjen e kandidatëve për kryetar bashkie në fletët e votimit për shkak të ankimeve për ju dhe 2 kandidatë të tjerë si subjekte të dekriminalizimit. Shorti do të hidhet pasi të shqyrtohen ankimet. A e ndjeni veten të rrezikuar për t’u përjashtuar nga gara e 14 majit?

Kreshnik Hajdari: Jo nuk e ndjej veten të rrezikuar.

Pyetje: Çfarë vendimi prisni nga KQZ pasi te shqyrtojë ankimet?

Kreshnik Hajdari: Nuk e di çfarë do të bëjë KQZ, por di të them se mjafton të shohësh ligjin e dekriminalizimit dhe kuptohet se si është e vërteta.

Pyetje: Si i komentoni akuzat e opozitës ndaj jush?

Kreshnik Hajdari: Ata kënë punën e tyre le të bëjnë çtë duan. Unë e lexoj ligjin dhe e kuptoj. Të gjithë të lexojnë ligjin e dekriminalizimit dhe vendimin dhe do ta kuptojnë si qëndron e vërteta e dënimit. Unë e kam bërë një deklaratë në lidhje me këtë çështje dhe s’kam përse të ndihem i rrezikuar.

Më herët Hajdari ka thënë se nuk ka qenë në dijeni të masës qortuese nga pala greke, për të cilën ka theksuar se nuk e penalizon.

“Jam, njohur për herë të parë nga mediat për një “Masë edukuese qortimi” që Gjykata e Janinës kishte marrë ndaj meje në vitin 1999 për kalim të paligjshëm të kufirit. Asokohe në moshën 17-vjeçare mora rrugën për të punuar në Greqi si shumë bashkatdhetarë të tjerë. Më ndaluan në kufi dhe menjëherë më kthyen pas në vendlindje. Nuk kam pasur asnjë dijeni për veprimet që ka ndërmarrë më pas në mungesë drejtësia greke ndaj meje. E megjithatë edhe sikur të kisha pasur dijeni, masa qortuese që ka dhënë Gjykata e Janinës nuk ka qenë e detyrueshme nga unë për t’u deklaruar si vendim administrativ. Gjë që përcaktohet shumë qartë në formularin e Ligjit për Dekriminalizimin, më konkretisht pika 7. Pra, s’ka asnjë pengesë ligjore” , ka thënë ai edhe më herët.

Partia Demokratike ka kërkuar të ndalohet edhe rikandidimi i kryebashkiakut të Mallakastrës Qerim Ismailaj për dënimin e tij me 40 ditë orë punë publike, pasi nuk kishte deklaruar një dënim në Greqi për rrahje, për të cilin Ismailaj është shprehur se nuk ishte në dijeni.

Por dje Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve ka vendosur të mos marrë në shqyrtim kërkesën e Partisë Demokratike, duke i dhënë sërish “dritë jeshile” Ismailajt. Për dy kandidatët e tjerë pritet vendimi ditën e nesërme.
/Gazeta Express/