SPAK gati të fillojë punën: I pari në listë ish-kryeprokurori Adriatik Llalla
Struktura e posaçme e hetimit të krimit të organizuar e njohur ndryshe si SPAK thuajse është gati dhe në fillim të tetorit do të nisë nga puna. Sipas burimeve të Gazetës SHQIP, puna e prokurorëve të SPAK do të nisë me një dosje të bujshme dhe që lidhet me një emër po kaq të bujshëm; Adriatik Llallën.

Pritet që të dalë edhe lista e plotë e dosjeve që do të hetojë SPAK, por ajo që është deklaruar zyrtarisht ka të bëjë me faktin se “kjo strukturë do t’i hapë të gjitha dosjet, edhe ato të vjetra për politikanë të akuzuar”.

Por e para dosje në listë është ajo e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla që akuzohet për pastrim parash.

Për Llallën është hapur procedimi penal për pastrimin e parave. Llalla po hetohet nga Krimet e Rënda për disa vepra penale; “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimi i rremë i pasurisë, interesave private të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për për deklarim”, “Mosdeklarimit të shumave të të hollave ne kufi”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale“ dhe “Shpërdorimit të detyrës”.

Çështja penale kundër ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla nisi më parë për 4 akuza nga prokuroria e Durrësit, ndërsa tani po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Në kuadër të hetimeve paraprake të kryera lidhur me këtë proçedim penal, në bashkëpunim të ngushtë me policinë gjyqësore në Drejtorinë Hetimore Qëndrore, pranë Departamentit të Policisë Kriminale të Drejtorisë së Policisë së Shtetit Tiranë, janë kryer një sërë veprimesh hetimore.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera, janë krijuar dyshime të arsyeshme se disa pasuri të paluajtshme në zotërim të shtetasit Adriatik Llalla përbëjnë produkt të veprës penale. Me vendimin nr.179, datë 20.07.2018 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, është vendosur pranimi i kërkesës së Prokurorisë, vendosja e masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për pasuritë e paluajtshme të mëposhtme:

Apartament banimi, me sipërfaqe 67.2 m², ndodhur në Durrës;

Tokë arë, me sipërfaqe 4.500 m², ndodhur në Tiranë;

Tokë arë, me sipërfaqe 12.300 m², ndodhur në Tiranë;

Tokë arë, me sipërfaqe 3000 m², ndodhur në Tiranë;

Tokë arë, me sipërfaqe 2250 m², ndodhur në Tiranë;

Policia Gjyqësore pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit Tiranë në datën 23.07.2018 ka ekzekutuar vendimin gjyqësor për sekuestrimin e pasurive të paluajtshme të mësipërme. Vlera e tregut e pasurive të paluajtshme të mësipërme, në total është në shumën 98.772.000 lekë. Vijojnë hetimet e mëtejshme lidhur me këtë proçedim penal në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit Tiranë.

Si i shpëtoi Llalla Vettingut?

Llalla i shpëtoi procesit të Vettingut, pasi paraqiti dorëheqjen nga sistemi para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. KPK-ja pranoi kërkesën e Llallës duke e nxjerrë nga sistemi dhe duke mos kaluar në Vetting. Komisioneri Publik ankimoi pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, vendimin e KPK-së.

Në 11 qershor, KPA shqyrtoi kërkesën e Komisionerit Publik, dhe vendosi të linte në fuqi vendimin e KPK-së duke e lënë Llallën jashtë sistemit dhe pa kaluar në Vetting. Ende nuk dihet vendodhja e saktë e Adriatik Llallës, ndërsa gjurma e fundit vjen nga Turqia, kur ish-kryeprokurori i kishte dërguar një prokurë në turqisht avokatit të tij përfaqësues në KPA, Sokol Hazizajt, ku nga vula apostile, u dallua se Llalla ndodhej në Turqi asokohe.

Pas largimit të Llallës nga posti i kryeprokurorit, Departamenti i Shtetit ndaloi publikisht hyrjen e Adriatik Llallës dhe familjes së tij në Shtetet e Bashkuara, me argumentin se “ka informacione për përfshirje të tij në raste domethënëse korrupsioni”.


Shtuar më 23/09/2019, ora 15:01

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori