“Burri livadhis dhe pastaj akuzon gruan për tradhti”, flasin të afërmit e Manjolës

I është dhënë sot lamtumira 33 vjeçares Manjola Cuku, e cila u masakrua me thikë tri ditë më parë nga bashkëshorti i saj, Lulëzim Cuku.

Ngjarja e rëndë ndodhi në banesën e çiftit Cuku, në fshatin Xhafzotaj të Durrësit. Të afërm të familjes së viktimës, shprehin revoltë për krimin e rëndë dhe kërkojnë ndëshkimin maksimal për autorin.

Nuset e dajave të Manjolës thanë se dhimbja është shumë e madhe, sidomos për babanë dhe nënën e vajzës së vrarë.

“Nuk kemi fjalë për të përshkruar dhimbjen e madhe. Ne jemi nuset e dajave të Manjolës dhe ndiejmë dhimbje pa fund. Akoma më e madhe është dhimbja për dy prindërit e vajzës. Ata janë një familje shumë e mirë këtu në Sopot. Kanë jetuar në kushte të vështira. Kjo ngjarje nuk duhej të kishte ndodhur. Shteti duhet t’i ndëshkojë rëndë autorët e ngjarjeve të tilla”, tha njëra nga gratë.

Ndërkohë, një zonjë tjetër që merrte pjesë në ceremoninë mortore u shpreh se “burrat e sotëm duhet të jenë më të vendosur dhe ta mbajnë familjen afër. Nuk është punë kjo që burri livadhis brenda e jashtë vendit dhe pastaj vjen e akuzon gruan për tradhti. Nëse burri ka dyshime për gruan ta marrë me vete aty ku emigron, ta mbajë familjen e bashkuar. Ngjarje si kjo kanë tronditur jo vetëm Durrësin e Dibrën, por gjithë Shqipërinë”, pohoi një tjetër e afërme e familjes së Manjola Cukut.


Shtuar 4.02.2020 12:23