Takimi Kasami, Gashi dhe Mexhiti, çfarë u diskutua mes tre tyre

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, kryetari i Alternativës, Afrim Gashi dhe kryetari i lëvizjes së re politike, Izet Mexhiti kanë dalë me porositë e tyre përmes rrjeteve sociale pas takimit të tyre të përbashkët të zhvilluar dje, ku paralajmëruan bllokun opozitar.

“Të nderuar qytetarë, bashkëmendimtarë e bashkëveprimtarë,
Ashtu siç kemi deklaruar edhe më herët, do të angazhohemi fuqishëm për të unifikuar zërin opozitar në vend.
Në këtë drejtim ishte edhe takimi i sotshëm me z. Kasamin dhe z. Gashin në Kuvendin e RMV-së, ku diskutuam rreth parimeve të bashkëpunimit tonë. Rrugëtimi ynë i sinqertë vazhdon! Na priftë e mbara!”, tha Mexhiti.

“Sot, kemi realizuar një takim të përbashkët dhe tepër konstruktiv me Izet Mexhitin, që vepron në kuadër të lëvizjes së re dhe me liderin e Alternativës, Afrim Gashi. Kemi diskutuar mbi idenë e bashkëpunimit dhe bashkërendimit rreth krijimit të frontit të përbashkët opozitar si një domosdoshmëri në skenën politike shqiptare. Në një atmosferë miqësore dhe konstruktive kemi diskutuar mbi hapat e ardhshëm për një bashkëpunim frytdhënës në skenën politike shqiptare. Detajet tjera mbi këtë bashkëpunim do të shpalohen në ditët në vijim”, tha Kasami.

“Sot u takuam përsëri më z. Izet Mexhiti dhe z. Bilall Kasami për të diskutuar për mundësitë e zgjerimit dhe fuqizimit të frontit opozitar shqiptar. Mes tjerash, diskutuam edhe për përgatitjen e një drafti të një oferte që më tej do të zgjerohet në program parazgjedhor. Orteku tashmë ka filluar. Përmbysja e këtij pushteti është në horizont. Në zgjedhjet e reja qeveri e re”, u shpreh Gashi.