Dyshohet se i dogji makinën punonjësit të karburantit për hakmarrje, shoqërohet në polici Deizi Arapi

Burime pranë policisë bëjnë me dije se rreth 15 persona janë shoqëruar në komisariatin e Devollit, për t’u marrë deklarimet lidhur me djegien e mjetit të Marsel Buçit.

Sipas informacioneve, mes të shoqëruarve është edhe Deizi Arapi, ndërsa shtetasit e tjerë janë persona që mund të kenë dijeni, apo persona që kanë patur konflikte më parë me Buçin. Janë hapur të gjitha dosjet që lidhen me Marselin, në mënyrë që të bëhet e mundur zbardhja e ngjarjes.

Vetë Buçi ka deklaruar në polici se dyshimet e tij janë tek Deizi Arapi, pasi ajo ka përmendur emrin e tij kur iu dogj makina e saj. Zbardhja e ngjarjes vështirësohet pasi në atë zonë nuk ka kamera sigurie.

Ndërkohë, i ati i Marselit, Urim Buçi në një prononcim për media u shpreh se për mjetin ka punuar me djersë dhe se dyshon te Arapi. Ai tha se nga shteti kërkon drejtësi por edhe kërkoi të dinte se ku i gjen paratë 27-vjeçarja.

“Në dy të natës u dëgjua një zhurmë dhe gruaja më tha ngrihu se i kanë vënë zjarrin makinë së djalit. U zgjuam dhe pamë që makina kishte marrë flakë e gjitha. Lajmërova policinë dhe erdhën në vendngjarje na morën në pyetje, ku dyshoni etj. Unë dyshimin e kam para një muaj, akuzoi djalin që ishte i futur nga dikush. Pas verifikimeve doli që im bir nuk kishte lidhje me ngjarjen. Pas dy ditësh, i del prapë përpara me makinë djalit dhe filloi ta ofendojë. Qëndroi djali dhe i tha: Si e ke punën moj çupë e mbarë? S’vajti dy minuta, mori policinë në telefon dhe u tha filani me shau. Filloi sërish të sajonte gjëra, mori në telefon shefi komisariatit dhe i tha mos u merr me të. Mua më duket se kjo është ngjarje e qëllimshme. Unë kërkoj drejtësi nga shteti./albeu.com