Skandali me zjarret: Një avion kushton më pak se luksi i zyrës për b*thën e një ministri (FOTO LAJM)

Pëlqej
Nga Albeu.com
Shqipëria është një territori që preket nga zjarre masive çdo verë.

Aktualisht jemi në një situatë emergjence, ku thuajse në të gjithë territorin gjenden vatra aktive zjarri, të cilat po shkrumbojnë edhe ato pak pyje që kanë mbetur në këmbë prej çmendurisë së këtyre 20 e kusur viteve gjoja demokraci.

Aktualisht, në gjithë këtë territor, me zjarret luftojnë dy helikopterë të një kompanie private, të cilat transportojnë sasi të limituara uji si edhe mjete zjarrfikëse që hasin probleme në arritjen e zonave të larta.

Pavarësisht se kemi qenë vazhdimisht të kërcënuar nga zjarret dhe vendi ka kryesisht një territor kodrinor-malor, shteti shqiptar nuk e ka parë të arsyeshme të investojë asnjë lek në drejtim të blerjes së një mjeti efektiv të luftës ndaj zjarreve siç kanë bërë vendet fqinje si Greqia, Italia, etj.

Albeu.com bëri një vëzhgim të mjeteve që përdorin fqinjët për shuarjen e zjarreve.

Aktualisht, Greqia ka në përdorim 11 avionë CL-215 (në foto sipër), të cilët janë tepër efektivë në luftën kundër flakëve.

Të njëjtët avionë përdor Italia, Spanja dhe Kroacia.

Madje, kjo e fundit ka blerë versionin më të avancuar të këtyre, CL-415, të cilët kushtojnë rreth 30 milion dollar njëri.

Sa i përket avionëve që përdor Greqia, të cilët po ndihmojnë vendin tonë, ata janë prodhim i para viteve '90 dhe kushtojnë jashtëzakonisht pak krahasuar me dëmin që zjarret po i shkaktojnë Shqipërisë, por edhe krahasuar me shpenzimet e luksit që bëhen për rregullim zyrash.

Një avion funksional CL-215 mund të blihet në treg kundrejt një çmimi 5 deri 7 milion dollar amerikan në varësi në kushteve teknike dhe marrëveshjes për mirëmbajtjen.

Por sa i kushton shtetit shqiptar blerja e një avioni të tillë?

Vetëm për shpenzime operative të administratës shtetërore si edhe mirëmbjatje, siç janë blerja e letrave e stilolapsave deri tek lyerja apo meremetimet e godinave, shteti shqiptar ka harxhuar një total prej rreth 18.3 miliardë lekësh ose rreth 170 milion dollarë vetëm gjatë gjysmës së parë të këtij viti.

Në një përllogaritje artimetike të përafërt, nëse do të kishte synim mbrojtjen e territorit nga zjarret dhe jo lukset e zyrave, qeveria shqiptare mund të blejë 34 deri 56 avionë të tillë me shpenzimet për letra, stilolapsa, kolltukë të rëhatshëm për zyrtarët dhe mirëmbajtje zyrash.

Sigurisht që Shqipërisë nuk i duhen kaq avionë.

Na mjafton një ose dy të tillë, të cilët nuk kushtojnë më shumë se luksi i zyrës së një zv.ministri apo drejtori.

A vlen luksi i të pasmeve të politikanëve më shumë se sa oksigjeni i miliona shqiptarëve dhe brezave që do të vijnë?

Me sa duket vlen për aq kohë sa askush nuk i ka tundur "të pasmet" për të siguruar një mjet efektiv për shuarjen e flakëve. /albeu.com/





Shtuar më 11/08/2017, ora 15:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori