Skandali me tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë, dorëhiqet drejtoresha e ARRSH
Ka dhënë dorëheqjen drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato. Këtë vendim e ka bërë publik vetë Qato me antë të një postimi në Facebook.

Qato shkruan se pak ditë më parë është akuzuar nga një kompani lidhur me një procedurë, të cilën ajo e gjykon plotësisht të drejtë dhe ligjore.

"Ndjeva sot detyrimin moral t’u bëj me dije dorëheqjen nga detyra që më është ngarkuar", shkruan ndër të tjerash Qato.

Ajo shprehet e keqardhur për gjithë këtë zhurmë dhe e lënduar nga spekulimet mbi procedurat e ndjekura në respektim të ligjit dhe dokumentacionin zyrtar që ka të bëjë me rastin në fjalë.

Postimi i plotë

Kjo situatë më ka vendosur në një pozitë të vështirë në raport me detyrën. Nga njëra anë më duhet të përballem me akuzat dhe procesin ligjor që shfaqen në vorbullën e pafundme të çudirave mediatike dhe nga ana tjetër duhet të administroj punën e përditshme dhe projektet infrastrukturore (pjesë e kësaj pune është edhe kompania që akuzon).

Jam e keqardhur për gjithë këtë zhurmë dhe e lënduar nga spekulimet jashtëzakonisht të mëdha në media mbi procedurat e ndjekura në respektim të ligjit dhe dokumentacionin zyrtar që ka të bëjë me rastin në fjalë. Por jam edhe në pamundësi normaliteti në një punë që s’ka as orar dhe as ditë pushimi, sepse kërkon angazhim ekstrem mendërisht e fizikisht.

Prandaj me mirënjohjen e sinqertë për Kryeministrin e vendit, i cili jo vetëm më besoi këtë detyrë të rëndësishme, por edhe më krijoi kushte të pavarësisë së plotë në drejtimin e institucionit, ndjeva sot detyrimin moral t’u bëj me dije dorëheqjen nga detyra që më është ngarkuar.

Jam e gatshme që të gjithë eksperiencën, dijen dhe integritetin tim ta vë në dispozicion të çdo detyre tjetër që mund të më kërkohet, por siç u mundova ta shpjegoj, e kam të pamundur të vazhdoj detyrën aktuale.

Faleminderit të gjithë bashkëpunëtorëve të mi dhe vazhdim të mbarë të një pune që kemi nisur mirë së bashku!
Shtuar më 19/09/2019, ora 15:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori