I fejuari i Tina Pajollarit: Me Valter Mollajn s’ka patur lidhje, unë do ta mbështes

Tina Pajollari është arrestuar nga policia më 14 Tetor me urdhër të prokurorisë si e dyshuar për përfshirje në vrasjen e Martin Çeços 26 vjeç, trupi i të cilit u gjet i hedhur në rezervuarin e fshatit Kolanec në Maliq më 16 Qershor 2022.

Vetëm dy javë përpara se të arrestohej, Tina Pajollari ishte fejuar me një djalë nga Vlora. Ai është Artion Ferraj, i cili ka folur në një intervistë ekskluzive për emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus.

Artioni tregon nëse do të vazhdojë ta mbështesë Tinën edhe tashmë që ajo është arrestuar si e dyshuar.

Ai këmbëngul se Tina është e pafajshme në këtë histori dhe nuk ka patur asnjë kontakt me Martin Çeçon.

Artion shprehet se do t’i qëndrojë në krah të fejuarës së tij dhe familjes së saj përsa kohë të besojë se Tina Pajollari është e pafajshme.

Artion Ferraj gjithashtu pohon me bindje se mes Tina Pajollarit dhe Valter Mollajt nuk ka patur një lidhje dashurie, sikurse po thuhet deri më tani nga hetimet e policisë dhe prokurorisë. Ai pranon se Valter Mollajn e njeh edhe vetë.

Valter Mollaj, Edlir Mollaj dhe Bledi Angjo janë 3 të arrestuarit e tjerë si të dyshuar në vrasjen me mbytje të Martin Çeços dhe që trupin ia hodhën më pas në rezervuar.

Spartak Koka: Prej sa kohësh jetoni në Marjan?

Artion Ferraj: Po bëj rreth 2 vjet që vij me bagëti këtu në Marjan dhe jemi njohur me Tina Pajollarin. Vinte mblidhte çaj, ishim takuar andej lart, vazhdoi muhabeti, këmbyem numrat e telefonit.

Spartak Koka: Kur? Prej sa kohësh?

Artion Ferraj: Po bën rreth 3 muaj që kemi folur. Jemi lidhur. Ka zgjatur rreth 15 ditë që ne kemi folur në telefon, pastaj jemi takuar.

Spartak Koka: Këtu në Marjan.

Artion Ferraj:Po, jemi takuar këtu në Marjan. Kemi ndenjur bashkë.

Spartak Koka: Jeni lidhur?

Artion Ferraj: Po, jemi lidhur. Kemi ndenjur pothuajse rreth 15 ditë këtu në fshat, pastaj kam ikur unë e kam marrë në shtëpi.

Spartak Koka: Ju zyrtarisht me Tina Pajollarin jeni të fejuar, të martuar, çfarë statusi keni?

Artion Ferraj: Të martuar me letra nuk kemi bërë gjë, por që kemi folur me familje, kam ardhur këtu te familja e saj. Çupën do ta marr unë, kaq u kam thënë këtyre dhe pastaj kam marrë çupën e kam çuar në shtëpi.

Spartak Koka: Keni ndërruar shenjë?

Artion Ferraj: Shenjë jo.

Spartak Koka: Pra, për ty Tina Pajollari është nusja jote?

Artion Ferraj: Po.

Spartak Koka: E do?

Artion Ferraj: Po. E kam marrë unë çupën nga këtu edhe kemi vajtur në Vlorë. Atje kemi bërë, siç e kemi ne zakonin, që vemi për darkë në shtëpi. Unë e kam pyetur dhe për këtë çështje se unë e dija pak a shumë, e kam dëgjuar në media. Edhe e kam pyetur pothuajse herë pas herë që është e vërtetë apo jo. Më ka thënë jo, s’është e vërtetë se mua më kanë bërë presion atje tha dhe nuk është e vërtetë kjo gjë. Bile ka qarë kur e kam pyetur unë. Nuk është e vërtetë më thoshte, këmbëngulte, për kokë të babit thoshte nuk është e vërtetë. Për kokë të vëllait, kështu thoshte.

Spartak Koka: Në bindjen tënde?

Artion Ferraj: Nuk është e vërtetë se përderisa unë i kam hyrë kësaj gjëje, unë e kam marrë për nuse, nuk është e vërtetë kjo gjë. Është bërë një e padrejtë, kjo gjë nuk është e vërtetë.

Spartak Koka: Tina Pajollari është e arrestuar sot. Pak më parë ju më rrëfyet se keni qenë vetë që e keni sjellë nga Vlora. A mund të më përshkruash nga momenti i parë që e ka kontaktuar policia deri te momenti që e mësuat që nusja juaj Martina Pajollari tashmë është e arrestuar.

Artion Ferraj: Kishte ardhur policia këtu edhe e telefonuan në telefon nga telefoni i mamasë së kësaj, edhe i thanë ka ardhur një urdhër-arrest për paraqitje. Duhet të paraqitesh për atë çështjen dhe të ikësh prapë, kaq i ka thënë.

Spartak Koka: Ju ishit në Vlorë atëherë?

Artion Ferraj: Jo, unë kisha ardhur lart.

Spartak Koka: Kur ju morën në telefon?

Artion Ferraj: Nusja ishte poshtë, unë isha këtu.

Spartak Koka: Nusja ishte në Vlorë me familjen tënde. Ti ishe në Marjan?

Artion Ferraj: Po. Isha këtu. Mori në telefon më tha mua më kanë kërkuar nesër andej. I thashë unë nesër nuk vete dot, pasnesër hajde lart ti i thashë, unë do dal në Korçë. Në rregull. Dola unë e prita te terminali dhe e kam çuar te prokuroria, atje e çova. Prit këtu më tha mua se pak punë kemi dhe do dal tha. Mirë i thashë unë. Pritëm deri në orën 16:30. Doli ajo, doli Tina, e futën në makinë, do e çojmë në policia më thanë mua. Edhe pastaj më tha kjo ka bërë një vrasje me paramendim. Duhet të zësh avokat më tha, ta zëjë shteti apo do ta zësh ti, më tha mua? I thashë unë do llafosem me familjarët dhe pastaj do të them. Jo, merëm në telefon më tha mua, edhe kaq.

Spartak Koka: Keni marrë sot avokat për Tinën?

Artion Ferraj: Po. E kanë marrë.

Spartak Koka: Pate mundësi të flisje me Tinën?

Artion Ferraj: Jo, fare.

Spartak Koka: I njeh Valter Mollaj dhe Edlir Mollaj?

Artion Ferraj: Unë Valter Mollajn e njoh. E njoh nga mënyra që ne biem qumësht në baxho edhe mblidhemi të tërë. Nga kjo kemi krijuar një muhabet, edhe nga kjo e njohim njëri-tjetrin. Kemi vajtur te shtëpia e atij, kam ngrënë bukë. Këta dy të tjerët nuk i njoh.

Spartak Koka: Si e përshkruan Valter Mollajn? Si është për ty?

Artion Ferraj: Njeri i urtë, është njeri i mirë.
Spartak Koka: Kishe dëgjuar më parë në fshat para se të lidheshe me Tinën që ai kishte pasur një lidhje me Tinën?

Artion Ferraj: Jo.

Spartak Koka: E beson që Tina dhe Valter Mollaj kanë pasur një lidhje me njëri-tjetrin?

Artion Ferraj: Jo nuk kanë pasur, se po të kishin pasur lidhje unë nuk i hyja kësaj pune që deri sa unë jam lidhur me atë vajzë. Nuk i hyja fare. Po unë i kam besuar edhe asaj, i kam besuar edhe këtyre, familjes, që nuk është e vërtetë.

Spartak Koka: Ka folur ndonjëherë në telefon me Martinin?

Artion Ferraj: Jo më ka thënë. E kam pyetur, jo më ka thënë.

Spartak Koka: A i ka kthyer përgjigje Martin Çeços kur i ka shkruar?

Artion Ferraj: Jo, unë e kam pyetur dhe më ka thënë mua nuk është e vërtetë.

Spartak Koka: Po çfarë mendon Tina se ka ndodhur?

Artion Ferraj: Nuk e di tha se nga erdhi nga u bë kjo…

Spartak Koka: Po Tina ka pranuar dy herë në polici se ka dijeni për këtë vrasje.

Artion Ferraj: Më kanë trembur, tha, që unë e kam bërë këtë gjë.

Spartak Koka: Si e kanë trembur dhe kush e ka trembur?

Artion Ferraj: Më kanë bërtitur tha, ajo policja që më ka marrë. Më ka bërtitur kështu, thuaji që do pranosh këtë që kjo gjë është bërë, tha. Unë i kam thënë në qoftë se nuk është e vërtetë ti mos e prano. Në qoftë se është e vërtetë ti pranoje.

Spartak Koka: Ja ke thënë këtë?

Artion Ferraj: Po. Unë nuk pranoj tha, por kur vete atje ata bërtasin dhe unë kam frikë.

Spartak Koka: Ti sot çfarë mesazhi ke për Tinën që është në burg? Do e mbështesësh? Nuk do e mbështesësh? Cili është mesazhi jot si burri tashmë?

Artion Ferraj: Unë do ta mbështes se deri sa unë e kam marrë për grua unë do ta mbështes se kjo gjë nuk është e vërtetë. Se mua ma ka thënë dhe ma ka sqaruar që nuk është e vërtetë.

Spartak Koka: Do t’i qëndrosh këtij besimi deri në fund?

Artion Ferraj: Po.
Spartak Koka: Me Tinën, pasi të sqarohet situata dhe kur të dalë nga burgu, pretendoni të bëheni me fëmijë?

Artion Ferraj: Po.

Spartak Koka: Pra, në çdo lloj rrethana ti do ta mbështesësh Tinën?

Artion Ferraj: Unë do ta mbështes për të drejtën që ajo thotë mesa të kem mundësi.

Spartak Koka: Ka dalë që Tina thotë se ka qenë në Kolanec me ata të tre. Ka një audio deklaratë të policisë që thotë se ne e kemi të regjistruar dhe thotë që Tina pranon që ka qenë në Kolanec me këta të tre?

Artion Ferraj: Atë e ka thënë, unë e kam parë dhe në media, por nuk ka qenë në Kolanec.

Spartak Koka: Nuk ka qenë me këta?

Artion Ferraj: Jo.

Spartak Koka: Po që Martini i kishte shkruar Tinës ta ka thënë?

Artion Ferraj: Një herë e di, që i ka shkruar një herë dhe nuk i kam kthyer përgjigje fare tha i kam bërë bllok. Nuk i kam shkruar më, tha.

Spartak Koka: Çfarë mesazhi ke për familjen e Martin Çeços që të ndjek sot nga kjo intervistë. Është një histori që është shumë e ngatërruar.

Artion Ferraj:Unë them që të dalë e drejta dhe ai të marrë drejtësinë e tij dhe ne të na vijnë njerëzit tanë në shtëpi.

Spartak Koka: Po ju mendoni se Valter Mollaj dhe Edlir Mollaj nuk janë të përfshirë në këtë histori?

Artion Ferraj: Jo.

Spartak Koka: Por policia i ka arrestuar bashkë me Bledi Angjon.

Artion Ferraj: I kanë arrestuar për arsye vetëm për këto që kanë ndodhur, për deklarimet që kanë dhënë këta, vetëm nga këta, edhe ata djemtë janë brenda, janë gjynah.

Spartak Koka: Pra, ti beson apo nuk beson se Valter Mollaj dhe Tina Pajollari të kenë pasur një lidhje jashtëmartesore apo një lidhje dashurie mes tyre?

Artion Ferraj: Jo se kanë kushërinj në radhë të parë edhe nuk ndodh. Valter Mollaj ka çupën sa Tina dhe nuk është e vërtetë. Këta hanë e pinë me njëri-tjetrin. S’ka mundësi që të ndodhi vërtetë se janë kushërinj.

Spartak Koka: Ti do të vazhdosh të rrish në Marjan?

Artion Ferraj: Unë dhe pak ditë jam në Marjan se kam bagëtitë se pastaj do iki në Vlorë.
Spartak Koka: Është e sigurt që ti do vijosh mbështetjen e familjes, pra ta ketë garancinë familja e Tinës apo jo?

Artion Ferraj: Po.

Spartak Koka: Çfarë premtimi do i japësh nënës së Tinës tani?

Artion Ferraj: Në qoftë se kjo gjë është kështu unë do vazhdoj ta mbështes.

Spartak Koka: Po në të kundërt?

Artion Ferraj: Në të kundërt unë nuk e mbështes dot, nëse e kanë bërë këtë gjë, unë nuk e mbështes dot se është gjë e madhe. Ndërsa në qoftë se është e drejtë, unë deri sa të kem mundësi unë do ta ndihmoj.